Maqedonia vazhdon të jetojë mes dy realiteteve.
Realiteti i qytetarëve të varfër dhe ai politikanëve të pasur të cilët nuk e ndjejnë krizën dhe faturat e shtrenjta për energji elektrike dhe taksave të tjera të cilat janë burime kryesore të buxhetit shtetëror.
Qeveria në largim thoshte se, Maqedonia është në vendin e dytë sa i përket rritjes ekonomike në shkallë evropiane, ndërsa për çudi efektet e këtij bumi ekonomik nuk japin rezultate te qytetarët.
Sipas tyre, Maqedonia është lidere sa i përket lartësisë së çmimeve për produktet e nevojshme dhe të domosdoshme për mbijetesë dhe gjithashtu sa i përket taksave dhe dënimeve të cilat janë më të lartat në Evropë e më gjerë.
Ata thonë se duart e qeverisë kanë depërtuar thellë në xhepat e qytetarëve.
“Është absurde. Rroga ime është vetëm 150 euro ndërsa fatura e energjisë elektrike më vjen 80 deri në 100 euro në muaj. Ndërsa javë më parë mu desh të hyj në borxh dhe të paguaj një dënim prej 500 eurosh për faktin se gabova dhe ndalova në vendkalimin për këmbësor. S’di si do t’ia dal, jam futur në kredi dhe borxhe. Kam frikë se do të përfundoj në ndonjë nga burgjet e vendit, kam dëgjuar se edhe kjo është një mënyrë për të shlyer borxhet ndaj shtetit. Thonë se 100 denarë paguhet nata”.
Ka të tillë që kanë krahasuar çmimet e produkteve dhe mallrave me vendet më të zhvilluara evropiane dhe nuk kanë gjetur ndonjë dallim.
“Çmimi i qumështit, vajit, sheqerit dhe gjërave të tjera esenciale për një familje nuk dallojnë aspak me vendet Evropiane. Gati si te ne edhe në Angli ku rroga mesatare është rreth 2800 euro, një litër vaj gatimi është 1.25 euro, një litër qumësht është 95 cent ejt. Një qytetar i vendit me pagë mesatare prej rreth 300, për një shportë të njëjtë produktesh, shpenzon gati njësoj me qytetarët e vendeve evropiane. Ndërsa çfarë të themi për rreth 30 për qind të të papunësuarve të cilët nuk kanë asnjë të ardhur”, shprehet I.M (38) për agjencinë e lajmeve “INA”.
Shqetësim të madh për taksat e larta dhe paratë që duhet t’i jepen shtetit, shfaqin edhe të punësuarit në sektorin privat.
Drejtuesit e ndërmarrjeve ankohen se fitimi i tyre minimal ju shkon duke paguar obligimet ndaj shtetit. Ata thonë se gjithnjë e më tepër qarkullojnë më pak para për faktin se qytetarët nuk kanë të ardhura solide sikur më parë.
“Ka rënë shitja. Neve mund të mbulohemi sa për të mos falimentuar vetëm gjatë periudhave kur vijnë mërgimtarët. Por edhe ata nuk shpenzojnë sikur më parë. Megjithatë vërehet dallimi gjatë sezonit të verës dhe dimrit kur vijnë mërgimtarët nga vendet evropiane”, shprehet S.A (27), shitës në një market.
Qytetarët thonë se Maqedonia, ligjet, taksat dhe dënimet i ka konform standardeve evropiane, ndërsa rrogat janë afrikane.