DURRËS, 9 korrik 2013 – Maqedonia është e vendosur të realizojë Korridorin 8 hekurudhor, që kalon përmes saj dhe që lidh Detin e Zi (Bullgari) dhe Adriatikun (Shqipëri).

“Hekurudha nga Maqedonia për në Bullgari po bëhet fakt”, ka thënë para disa ditësh në një intervistë me të përditshmen maqedonase Dnevnik ministri maqedonas i Transportit, Mile Janakievski.

Ofertat në prokurimin publik për ndërtimin e një linje hekurudhore midis Kumanovës dhe fshatit Beljakovce, e cila do të shënojë fillimin zyrtar të projektit, do të hapen në mes të shtatorit, komentoi Dnevnik-u.

Ministria maqedonase e Transportit dhe Komunikacioneve bëri të ditur disa projekte të mëdha të infrastrukturës deri në 2020, të cilat parashikojnë modernizimin dhe ndërtimin e linjave hekurudhore, përfshi ato në drejtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë.

“16 kompani kanë paraqitur ofertat në fazën fillestare të konkurrimit për seksionin ndërmjet Kumanovës dhe Beljakovces, nëntë prej të cilave kanë përmbushur kushtet e vëna”, tha ministri duke shtuar se seksioni ishte 30 kilometra i gjatë. Shuma prej 46 milionë euro është dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ministri tha se procedura pritet të fillojë nga fundi i këtij viti, ndërkohë që të gjitha dokumentet hartohen deri në fund të vitit 2016.

Për shkak të sherreve me Greqinë, në Maqedoni ka një interes në rritje për të shfrytëzuar portin e Durrësit në fqinjin e saj perëndimor, Shqipërinë.

Shkupi po punon për lidhjen hekurudhore Kërçovë-Lin (Pogradec).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/