Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov kërkon që vendi i tij të trajtohet dhe të vlerësohet i ndarë nga Shqipëria sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjatë komunikimit me gazetarët në Helsinki të Finlandës, Dimitrov u pyet nëse Maqedonia e Veriut rrezikon negociatat për shkak se po trajtohet së bashku me Shqipërinë. Ai theksoi se vlerësimi për të dyja vendet do të ishte gjë e mirë, por në rast kundërshtimesh është më mirë që të vlerësohet njëri (Maqedonia) sesa asnjëri.

“Ky është një proces i bazuar në meritë dhe në këtë proces duhet t’i vlerësosh vendet të ndara. Nuk dua të flas për “paketë”. Dy nga dy është mirë, dy është më mirë se një, por gjithashtu mendoj se një është më mirë se zero. Dhe ne nuk kemi luksin të humbasim mundësinë për sukses, jo në Evropë, jo këtë vit”, deklaroi Dimitrov.

Vendet e BE-së do të marrin më 18 tetor vendimin për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendi ynë fqinj është më i favorizuar edhe për shkak të arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.