ARGJENTINE, 14 shkurt 2013 – Ka ardhur në jetë Diego Fernando, djali i Diego Armando Maradonës dhe Veronika Ojedës. Fëmija lindi në një kohë kur dy prindërit e tij janë ndarë prej disa muajsh. "Veronika dhe djali i saj janë shumë mirë",- bëri të ditur avokati i saj, Jorge Auruccio. Sipas tij, djali i ngjan Maradonës, sepse ka hundën e tij. Ai nuk diti të thotë nëse ish futbollisti do të takojë Veronikën dhe djalin e tij.  Pas ndarjes me 33 vjeçaren, Maradona i ka kaluar muajt e fundit larg saj, në Dubai.

Vajzat e Maradonës, Dalma dhe Giannina, si dhe ish gruaja e tij, Claudia Villafane u ngrindën kohë më parë me Veronikën në rrjetin social Tëitter, grindje që më pas përfundoi në gjykatën e Buenos Aires.

Pas kësaj grindjeje gjykatësit vendosën që ish gruaja e yllit botëror të mos i afrohej shtëpisë së Veronikës më shumë se 300m dhe duhet të rrinte larg saj 100 metra. Vendimi që u dha për 120 ditë skadon në muajin mars.