30 maj 2014 – Nëse do të na duhet që të rishikojmë se kush janë 10 futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, pa dyshim që në krye të tyre mbetet argjentinasi Diego Armando Maradona, i cili, sipas sondazheve të zhvilluara nga gazeta prestigjioze, ndër të cilat edhe “The Times”, lë pas vetes edhe lojtarë të kalibrit si braziliani Pele. Sidoqoftë, mes tij dhe Peles vijon dualizmi për “të parin” e vendit, enigmë të cilën s’e ka zgjidhur dot askush në mënyrë zyrtare. Një “gjeni perfekt” i lojës së futbollit, jo për golin që i shënoi Anglisë, por për mënyrën se si luante, për aftësinë e tij për të lëvizur në fushë, për dimensionin e pamatë, i aftë të “rrëzonte” yjet botërore dhe të ndryshonte fatin e takimit krejt i vetëm dhe vetëm në një moment. Ylli argjentinas ka luajtur më shumë ndeshje, por ka shënuar më pak se braziliani Pele, i cili, në një nga debatet e shumta “plot helm” dhe në distancë me Maradonën, kishte thënë: “Unë kam lindur për futboll, ashtu si Bethoveni kishte lindur për muzikë”. Diego Armando Maradona lindi me 30 tetor të vitit 1960 në Villa Fiorito, sot Partido Lomas de Zamora, krahina e Buenos Airesit, Argjentinë. Ishte një futbollist i famshëm argjentinas. I njohur edhe si “El Pibe de Oro” (fëmija i artë), ai është përmendur rregullisht si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Ai është zgjedhur lojtari më i mirë i shekullit nga FIFA, gjatë një votimi ndërkombëtar në internet.

Karriera profesionale

Maradona e filloi karrierën e tij futbollistike në Kampionatin e Argjentinës, me klubin “Argentinos Juniors”, nga viti 1976 në vitin 1981, ku fitoi shumë suksese, ndër të cilët edhe “Topin e Artë” argjentinas, në vitin 1978, dhe titullin e Kampionit të Botës për të rinj në vitin 1978. Më pas ai luajti në Boca Juniors gjatë viteve 1981-1982, para se të blihej nga klubi i futbollit të Barcelonës. Me katalanasit ai fitoi një Kupë Mbreti që në vitin e parë të karrierës së tij futbollistike, në vitin 1983. Me Barcelonën, në atë kohë me president Nunez, ai ka luajtur sy sezone, që nuk realizuan atë që prisnin tifozët, së pari për shkak të një hepatiti dhe më pas për një fatkeqësi të madhe që i shkaktoi humbjen e 30 për qind të lëvizjes së kaviljes. Raportet me Barcelonën dhe presidentin e saj, Nunez, u prishën tashmë dhe Maradona, pasi e kishte marrë veten nga incidenti, e ndjente veten sërish gati për të luajtur, por tashmë me një tjetër ekip. Ai u ble nga Napoli për shifrën e 12 miliardëve e gjysmë lira. Kontrata u firmos në kohën kur Napoli nuk i dispononte ende këto para për të blerë lojtarin, por që vetëm një moment mjaftoi dhe këto para u derdhën nga Banka e Napolit. Më 5 korrik të vitit 1984, Maradona u paraqit në “San Paolo” dhe u prit nga shtatë mijë persona. Mjaftoi një pasim dhe një gjuajtje drejt portës dhe entuziazmi u shndërrua në një jehonë të vërtetë, dukej tashmë një bast i fituar. Me fanellën e kaltër, Maradona arriti kulmin e karrierës dhe famës së tij, duke e çuar Napolin në radhët më të larta të futbollit italian dhe atij europian. Falë një skuadre të mrekullueshme dhe drejtimit të tij, Napoli korr fitoren e parë në kampionatin italian të vitit 1986-1987 (trajner Ottavio Bianchi), sezon që mbetet në kujtesë, sepse pas 32 vjetësh Napoli arrin të mundë sërish Juventusin në stadiumin “Comunale” të Torinos. Në të njëjtin vit ai fitoi Kupën e Italisë, ngjarje historike për Napolin. Maradona fitoi Kupën UEFA në vitin 1989 dhe një Superkupë të Italisë në vitin 1990. Aventura e tij profesionale në Itali përfundoi më 17 mars të vitit 1991, pas një kontrolli për drogë, të kryer në përfundim të ndeshjes Bari-Napoli, ku rezultoi pozitiv ndaj përdorimit të kokainës. Fanella e tij numër dhjetë u tërhoq nga Napoli, në nder të karrierës së tij të jashtëzakonshme. Ai e braktisi Napolin dhe karriera e tij vazhdoi më pas në mënyrë të ndërprerë me Seviljen dhe Boca Juniors, deri në fund të kampionatit botëror të vitit 1994, ku në fazën fillestare “El Pibe” u bë protagonist i lojërave të luajtura dhe realizoi një gol të shkëlqyer kundër Greqisë, por edhe një herë përdorimi i drogës e ndali karrierën e tij. Maradona rezultoi sërish pozitiv ndaj efedrinës, substancë stimuluese e ndaluar. Në vitin 1995, vit i rikthimit në të preferuarin e tij Boca Juniors, i akordohet titulli Topi i Artë i karrierës. Në fund të vitit 1999, në bazë të të dhënave të një sondazhi të ndjekur nga FIFA në internet, Maradona u zgjodh lojtari më i mirë i shekullit. Pas tërheqjes së tij nga fusha e blertë Maradona filloi të ketë probleme, që rridhnin si pasojë e përdorimit të kokainës, si dhe shumë shqetësime të tjera. Vetëm aplikimi i një “by-pass”-i gastrik bëri që ai të humbasë shumë në peshë.

 

Maradona dhe ekipi kombëtar
Në ekipin Kombëtar të Argjentinës, ku numëron 91 seleksionime dhe 34 gola, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 1986, duke fituar kundër Republikës Federale të Gjermanisë në finale me rezultatin 3-2. Në çerekfinalen kundër anglezëve, ai realizoi një ndër golat më të bukur të historisë së Kupës së Botës, duke u nisur nga fusha e tij dhe duke i kaluar para syve të gjithë mbrojtjes angleze, para se të çonte topin në rrjetë. Kjo ishte ëndrra e çdo futbollisti dhe ky gol i papërsëritshëm qëndroi gjatë në mendjen e tifozëve. Paraqitja e tij ishte magjike. Piruetet e tij, pasazhet e shkëlqyera dhe shumë magji e bënë atë një kampion të papërsëritshëm. Ky shpërthim u shkaktua nga goli i parë i shënuar nga Maradona gjatë kësaj ndeshjeje, topi shkoi në rrjetë falë ndihmës së dorës «Dorës së Zotit », kështu e komentoi Maradona këtë fakt. Konteksti politik i kësaj fitoreje, që u kurorëzua me rezultatin 2-1 përballë Anglisë, ishte i veçantë për shkak të tensioneve ndërmjet këtyre dy vendeve. Maradona drejtoi gjithashtu ekipin e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës në vitin 1990, sërish kundër Gjermanisë, por këtë radhë duke pësuar humbje me rezultatin 1-0, me anë të një penalltie gjatë kohës së rregullt të lojës. Në gjysmëfinale Maradona e çoi Argjentinën në klasifikim përballë Italisë, në stadiumin e Napolit, ku ai luajti gjatë sezonit të rregullt. Për shkak të kësaj ndeshjeje, Italia, vendi mikpritës i këtij aktiviteti, u bë mbështetës i Gjermanisë.

 

Vitet e arta të Maradonës
Duke parë fizikun jo shumë të zhvilluar për një sportist dhe gjatësinë jo shumë optimale për shkak të shtatit të shkurtër, Maradona ka personifikuar esencën e futbollit, duke fshehur në atë fizik të pakët një talent të pazëvendësueshëm, lidhur me fantazinë e tij, me vizionin e lojës dhe duke bërë mrekullia shpesh të paimagjinuara për fushën e blertë. Vitet 1984 në 1991 janë për të gjithë tifozët e Napolit vitet më të paharruar. Në ato vite Napoli u bë një skuadër që nuk mund të mundej. Diego Maradona, klasi i tij i lartë, stili i tij i rrallë, ishin të gjithë përbërësit për një skuadër të madhe. Ardhja e Diegos në Napoli ishte shumë e vështirë dhe tratativat me Barcelonën zgjatën disa muaj, gjatë verës së vitit 1984. Të gjithë në Napoli ndiqnin me shumë vëmendje vështirësitë e hasura nga Napoli për të blerë Diegon. Por më në fund Napoli ia doli mbanë ta blinte dhe më shumë se 60 000 persona shkuan në stadiumin “San Paolo” vetëm për të parë prezantimin e asit argjentinas. Dy sezonet e para (1984-1985 dhe 1985-1986) ishin shumë të mira, por jo thelbësore dhe njerëzit në Napoli prisnin fitoren e kampionatit. Viti pasardhës 1986-1987, ishte viti i fitores së parë. Një kampionat, në të cilin Napoli dominoi nga dita e parë në të fundit, duke qenë pothuajse gjithmonë në qendër të klasifikimit. Ky ishte një sezon i paharruar për të gjithë tifozët napolitanë, në fakt ata fituan edhe Kupën e Italisë, duke mundur në finale Atalantën. Diego Maradona, Bruno Giordano, Salvatore Bagni, Moreno Ferrario, Claudio Garella, Andrea Carnevale janë të gjithë në zemër të tifozëve të Napolit. Në Napoli njerëzit pëlqejnë shumë futbollin dhe bëjnë tifozllëk si pak të tjerë në botë, atë ditë ishte një festë e madhe dhe u festua shumë bukur. Nëpër rrugë, nëpër shtëpi, të gjithë netët dhe ditët pasardhëse, qyteti ishte në festë. Një vit më pas, 1987-1988, ishte sezoni që të gjithë tifozët e Napolit duan ta harrojnë, pasi Napoli shkoi deri në ditët e fundit të kampionatit, por më pas në mënyrë të pakuptuar dështoi, ndoshta për shkak të disa problemeve, duke humbur disa vende në klasifikim në krahasim me Milanin e Gullit, Van Basten e Rijkaard, që luajtën një ndeshje shumë të bukur në Napoli, duke fituar 3-2, dy javë para përfundimit të Kampionatit. Një kupë e fituar falë Diego Maradonës, Antonio Carecas, sulmuesit të madh brazilian, Ricardo Alemao. Viti1989-1990 ishte një sezon tjetër që nuk harrohet, fitorja e dytë. Napoli fitoi edhe një herë kampionatin Italian, duke grumbulluar gjithsej 33 pikë nga 34 (16 fitore, 1 barazim, 0 humbje) dhe përballja kokë me kokë me Milanin deri në ditën e fundit ishte e paharruar. Dy ditë para përfundimit, Napoli dhe Milani kishin të njëjtët pikë në klasifikim dhe Napoli arriti të fitonte me rezultatin 4-2 në Bolonja, ditën në të cilën Milani humbi me rezultatin 2-1 kundër Veronës, në një ndeshje të paharruar. Ditën e fundit Napoli fitoi pa shumë mundim, me rezultatin 1-0, kundër Lacios, falë një goditjeje me kokë të mbrojtësit Marco Baroni, që shënoi edhe golin e fitores. Por vitet e arta përfunduan në Moskë, vitin pasardhës, kur u eliminuan gjatë turit të dytë të Kupës së Kampioneve, pasi kishin mundur hungarezët e Ujpest Dozsa gjatë turit të parë (3-0, 2-0).

 

Maradona, “pibe d’oro”
Nëse ka një futbollist që është simboli i Napolit, ky pa dyshim që është Diego Armando Maradona, futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Që prej ardhjes së tij te Napoli të gjithë filluan ta donin dhe ta pëlqenin si të ishte biri i tyre, pasi ishte në gjendje t’i jepte Napolit një famë ndërkombëtare, duke udhëhequr skuadrën në elitën e futbollit botëror. Sezoni i tij i parë, më saktësisht në vitin 1984-1985, nuk ishte ashtu si mund të prisnin të gjithë, por gjatë sezonit të dytë të kampionatit filloi të tregojë klasin e tij, duke realizuar një performancë të pabesueshme kundër Lacios, kur Napoli fitoi me rezultatin 4-0. Diego shënoi një gol nga këndi dhe një tjetër më një goditje shumë të bukur nga larg. Në sezonin pasardhës, në vitin 1985-1986, Diego shënoi golin që i dha Napolit fitoren e parë kundër Juventusit, pas shumë vitesh. Ndërsa një vit më pas, 1986-1987, Maradona arriti të çojë Napolin në fitore, duke u treguar të gjithëve se ishte numri një (dy gola të paharruar janë ata kundër Sampdorias, me një goditje me kokë, dhe një tjetër kundër Milanit, kur arriti të kalojë gjithë mbrojtjen kundërshtare, duke i dhënë Napolit golin e fitores, që përfundoi me rezultatin 2-1). Në atë kohë sapo ishte kthyer nga Kampionati Botëror i Meksikës, ku kishte drejtuar vetëm Argjentinën në fitore, duke shënuar golin e famshëm me dorë kundër Anglisë, por edhe në të njëjtën ndeshje golin më të bukur të historisë futbollistike. Diego çoi Napolin në fitoren e trofeut të parë ndërkombëtar, siç ishte Kupa UEFA në vitin 1988-1989 dhe një vit më pas, në 1989-1990, falë golave të tij fantastikë, skuadra e Napolit fitoi sërish. Ai gjithmonë ishte fatsjellës për skuadrën napolitane. Është praktikisht e vështirë të shpjegosh me fjalë atë që Diego ka qenë për Napolin e viteve ’80. Dhe nëse dikush nuk e ka vizituar qytetin e Napolit në ato vite, nuk do arrijë kurrë ta kuptojë domethënien që kishte Diego Maradona për të gjithë napolitanët. Diego kishte edhe një rëndësi sociale: ai u bë idhulli i njerëzve, shumë persona që jetonin në kushte të këqija ekonomike gjenin tek ai një mënyrë për të mos menduar gjithmonë për realitetin e hidhur në të cilin jetonin. Siç është edhe tipar i napolitanëve, ata janë të famshëm për spontanitetin dhe për optimizmin. Në Napoli njerëzit çmendeshin për Diegon. Nëse në të ardhmen një arkeolog do të gjejë objekte “antikë” të Maradonës, ka shumë mundësi që të mendojë që ka qenë një specie idhulli, diçka për të cilën ia vlente të jetoje dhe vuaje. Maradona ishte i pranishëm pothuajse kudo në Napoli, nga fotot dhe vizatimet nëpër rrugët e qytetit, tek fishekzjarrët e quajtur “Topi i Maradonës”, nga çdo lloj suveniri për torta me Maradonën, nga poezitë për të e deri të statujat. Ishte kudo. Asnjë napolitan nuk mund ta urrente, ishte një hero për të gjithë. Ka shumë njerëz që kur mendojnë për Napolin, mendojnë menjëherë për Maradonën. Edhe sot, pas kaq vitesh, po t’i thuash dikujt “jam tifoz i Napolit”, përgjigjia e menjëhershme është “Napoli, Maradona”. Të mundesh të thuash “Unë kam parë Maradonën duke luajtur” ose “unë isha në stadium kur ka luajtur ai” është një motiv për t’u ndjerë krenar për këdo të apasionuar të futbollit, tifoz të Napolit apo dashamirës të tij.

 

Si cilësohet Maradona
”Kampioni më i madh që kam parë të luajë është Diego Armando Maradona. Më beso, biri im, nuk do të ekzistojë kurrë më, në shekuj të shekujve, një tjetër si ai. Ai atë që kishte mungesë përkryerje e ka bërë të përkryer. I vogël, i mbushur, por tepër i shkathët dhe konciz, viktimë e miqve falsë dhe e vullnetit për të vepruar jashtë çdo rregulli, Maradona ka transformuar një top të thjeshtë lëkure në një imazh të bukurisë.”. Këtë e ka shkruar Daruin Pastorin, në librin e titulluar “Letër për tim bir, mbi futbollin”.

 

Maradona: Kam folur me Zotin!
Ylli argjentinas ka prezantuar një film rreth jetës së tij në Kanë, me regji të Emir Kusturicas.
Ku ka thënë: “Isha i vdekur, por ai (Zoti) më tha se duhej të luftoja deri në fund”.
Eshtë një film i cili tregon qartë jetën e Diego Armando Maradonës, një film me regji të serbit Emir Kusturica. Bëhet fjalë për një nga legjendat e futbollit botëror, i cili ka treguar historinë e tij, histori të cilën regjizori i mirënjohur serb e ka kthyer në një film. Titullohet “Maradona sipas Kosturicas” dhe tregon qartë historinë e famshme të futbollistit argjentinas, por edhe bëmat dhe gabimet e tij në jetë. Në këtë film tregohen vështirësitë që Maradona ka hasur në jetën e tij dhe lidhjet e tij me Zotin, sidomos kur i ka shpëtuar vdekjes nga droga, “mallkimi” më i madh në jetën e tij, ashtu siç e ka quajtur vetë edhe legjenda e Argjentinës. “Tashmë edhe vetë e ndiej që nuk kam vdekur. Isha i vdekur, por ai atje lart (Zoti) nuk më la të vdisja. Kur isha në koma, flisja me Zotin, i cili më thoshte: “Lufto, ti nuk do të vdesësh. Isha në koma, por ai më thoshte: “Akoma jo. Jo tani”. Dhe unë e dija fare mirë se kisha ende për të dhënë. Ishte një sensacion shumë i frikshëm, por që më bëri të hapja sytë dhe të jetoja një rini të dytë”. Këto janë fjalët e Diego Armando Maradonës, i cili tregon edhe në film historinë e tij të dhimbshme, por edhe shumë të bukur pasi i shpëtoi vdekjes.

 

“Mund të isha bërë më i mirë se Pele!”
Gjatë prezantimit të filmit të tij në Kanë, Maradona ka dhënë një konferencë për shtyp, ku gazetarët e kanë pyetur për shumë tema të ndryshme. Një ndër to ishte edhe marrëdhënia e tij me Pelen dhe pikëpyetja e madhe: cili prej të dyve është futbollisti më i madh në botë në të gjitha kohërat. Dhe Maradona është përgjigjur: “Nëse nuk do të kisha bërë gabimet që kam bërë në jetë, atëherë Pele nuk do të ishte as i dyti”. Kjo përgjigje e argjentinasit vinte pas kritikave që Pele i kishte bërë disa muaj më parë në një intervistë: “Maradona ka qenë një futbollist i madh, por nuk gjuante dot me këmbën e djathtë dhe ishte i dobët në goditjet me kokë. Nuk ishte një futbollist i kompletuar. Për më tepër, kam edhe një pyetje: Pse të gjithë lojtarët olimpikë i humbasin medaljet e tyre kur marrin doping dhe ai jo?”. Ky ishte ngacmimi i parë i Peles, por edhe Maradona nuk mund të rrinte pa u përgjigjur: “Vajzat e mia më ka thënë të mos flas për Pelen, por nuk kam çfarë të bëj, nuk rri dot pa e përmendur emrin e tij. Pele nuk ka dinjitet për të folur me mua. Ai duhet të shohë atë që ka dhe më pas të përmendë emrin tim”.

 

“Droga, mëkati im në jetë!”
Sigurisht, Maradona nuk mund të linte pa përmendur edhe lidhjet e tij të ngushta me drogën, e cila e afroi shumë afër vdekjes. “A e dini se çfarë lojtari mund të kisha qenë nëse nuk do të kisha konsumuar kokainë?. Edhe vetë jam kurioz për ta mësuar një gjë të tillë. Eshtë e vërtet që kam patur lidhje të ngushta me drogën, e cila për pak më kushtoi edhe jetën. Kam kaluar një tmerr të vërtetë dhe askush nuk mund ta imagjinojë. Kam gabuar vërtet shumë, por falë Zotit e kam kuptuar shumë shpejt. Droga ka qenë mëkati im më i madh në jetë, por falenderoj doktorët, familjen time, vajzën dhe shumë miq të cilët më kanë ndihmuar. Falë tyre, unë jam tashmë mirë dhe midis jush”.

Ja 50 faktet kryesore të Maradonës
1. Maradona u lind më 30 tetor 1960 në rrethinat e Buenos Aires.

2. Maradona pati 91 paraqitje (ndeshje) për Argjentinën, duke shënuar 34 gola.

3. Ai ka luajtur në katër turne të Kupës së Botës për vendin e tij.

4. Ai e ndihmoi Boca Juniors të fitonte titullin në kampionatin argjentinas, më 1982, përpara se ta bënte një veprim të tillë edhe me Barcelonën. Por në vitin 1984 ai do të transferohej në Napoli dhe ta ndihmonte skuadrën italiane të fitonte të vetmit deri më sot, dy tituj të Seria A, pikërisht në vitet 1987 dhe 1990.

5. Maradona mban rekordin, për numrin më të madh të ndeshjeve si kapiten i ndonjë vendi në Kupën e Botës. Ai regjistroi 16 ndeshje me shiritin e kapitenit të Argjentinës në finale Botërorësh.

6. Në total, megjithatë, ai pati 21 ndeshje në turnetë e Kupave të Botës.

7. Maradona ishte 15-vjeçar, kur bëri debutimin e tij profesional, më 20 tetor 1976, për të rinjtë e Argjentinës.

8. Maradona ishte pjesë e skuadrës së të rinjve të Argjentinës, e cila fitoi Kupën e Botës për “junior”, më 1979, në Japoni.

9. Më 27 shkurt 1977, Maradona, në moshën 16-vjeçare, bëri debutimin e tij ndërkombëtar me Argjentinën, në një ndeshje kundër Hungarisë, në stadiumin “Bombonera” të Buenos Buenas.

10. Ai ka një tatuazh të Che Guevara në krahun e tij.

11. Maradona mban rekordin për numrin më të madh të faulleve të shkaktuar ndaj tij, në një Kupë Bote. Plot 53 faulla janë bërë ndaj tij gjatë Kupës së Botës 1986, në Meksikë.

12. Ai, gjithashtu, mban rekordin për numrin më të madh të faulleve të shkaktuar ndaj tij gjatë një ndeshjeje finale në Kupë Bote. Italia do të regjistronte plot 23 ndërhyrje të ndaluara ndaj tij, gjatë edicionit të vitit 1982.

13. Maradona shkëlqeu si një kapiten i lavdishëm për Argjentinën, vecanërisht në Kupën e Botës të vitit 1986, duke mposhtur me rezultatin 3-2 Gjermaninë Perëndimore, në finale.

14. Diego, gjithashtu, fitoi “Topin e Artë”, si lojtar i shquar i turneut, në Botërorin e vitit 1986.

15. Diego shënoi duke përdorur dorën e tij në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, kundër Anglisë. Kur u pyet për këtë gjë, ai tha: “Qëllimi ishte të shënoja. Pak nga dora e Perëndisë, pak nga krahu i Maradonës, kjo gjë u arrit.” Ky rast ka hyrë në histori me përcaktimin “Dora e Zotit”, edhe për faktin se Maradona, pothuajse i vetëm, fitoi Kupën e Botës për Argjentinën, më 1986.
16. Ai fitoi dy tituj në Seria A, me Napolin, në vitin 1987 dhe 1990. Ai, gjithashtu, fitoi Kupën UEFA me Napolin, në vitin 1989.

17. Në Kupën e Botës 1994, në SHBA, Maradona ka luajtur vetëm dy ndeshje, ku shënoi një gol, kundër Greqisë, pasi rezultoi se kishte përdorur doping, ndaj u dërgua në shtëpi, pas testit përkatës.

18. Maradona është martuar me Claudia Villafane, më 7 nëntor 1989, në Buenos Aires, por është divorcuar me të në vitin 2004.

19. Në vitin 2005, Maradona filloi mbajtjen e një “talk shoë” në televizionin argjentinas. Pele ishte mysafiri kryesor në shfaqjen (emisionin) e tij të parë.

20. Ai u emërua si menaxher i Argjentinës në tetor 2008.

21. Gjatë drejtimit të tij si menaxher, Argjentina pësoi humbjen e vet më të keqe (më të thellë), të regjistruar ndonjëherë, me rezultatin 6-1, në Bolivi, në eliminatoret e Kupës së Botës. Kjo e çoi Maradonën para një lumi të madh kritikash. Dhe kur skuadra e tij u kualifikua për finalet e këtij turneu (Afrika e Jugut 2010), Maradona u shpreh: “Për ata që nuk besuan.” Më tej vijoi me fjalë fyese ndaj gazetarëve, ndërkohë që nuk munguan as falënderimet për disa të tjerë: “Unë jam mirënjohës për lojtarët e mi dhe për popullin argjentinas.” FIFA e pezulloi atë për dy muaj, pas atij shpërthimi frenetik me ofendime të rënda ndaj gazetarëve.

22. Maradona debutoi si trajner i Argjentinës më 19 nëntor 2008. Atë ditë mundi me rezultatin 1-0 Skocinë, në “Hampden Park”.

23. Më 22 qershor 2010, Maradona ka thënë për topin Jabulani, me të cilin u luajt faza finale e Botërorit të këtij viti: “Unë kërkoj nga të gjithë drejtuesit e FIFA-s që të mos flasin aq shumë për mua, por të punojnë për futbollin e duhur. Ky top është i kotë. Është e pamundur për të luajtur me të, për ta kontrolluar portierët…”

24. Në një konferencë për shtyp përpara raundit të parë të suksesshëm në Kupën e Botës 2010, Maradona kërceu mbi pengesat për të përqafuar ish-shokun e ekipit te Napoli, Salvatore Bagni, një ish-futbollist, i kthyer tashmë në ekspert. Pas përqafimit të ngrohtë, Bagni tha: “Siç ka bërë në të gjitha këto vite, Diego rezervon gjithmonë të papritura!”

25. Maradona me forcë mbrojti performancën pa gola të Lionel Mesit në Botërorin 2010, teksa më 2 korrik 2010 tha: “Çdokush, që thotë se Mesi nuk kishte një paraqitje të madhe në këtë Kupë Bote, është idiot”.

26. Ish-shoku i ekipit, Jorge Valdano, tha për ë në vitin 2006: “Ai është një personazh i tillë, që shumë njerëz duan ta imitojnë, një figurë e diskutueshme, e dashur, e urryer, i cili nxit trazira të mëdha, sidomos në Argjentinë. Maradona nuk i ka shokët e vet vetëm brenda fushës së blertë, por e ka kthyer jetën e tij në një shfaqje. Tani është duke jetuar një provë të rëndë personale (me drogën), që nuk duhet të imitohet nga askush.”

27. Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) ka dërguar një kërkesë në FIFA, që të dalë “në pension” fanella me numrin nr.10 e kombëtares së tyre, në nder të Maradonës, por kërkesa është refuzuar.

28. Një stadium në Argjentinë mban emrin “Diego Armando Maradona”.

29. Maradona, pasi mundi Anglinë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, tha: “Ishte sikur të kishim pushtuar një vend, më shumë se të kishim mundur vetëm një ekip futbolli.”

30. Maradona deklaroi në vitin 1996: “Unë isha, jam dhe do të jem gjithmonë nën varësinë e drogës. Një person i përfshirë në efektet e saj, por kam për ta luftuar atë çdo ditë.”

31. Në vitin 2000, FIFA vendosi të organizojë një cmim “Lojtari i Shekullit” për mijëvjeçarin e ri. Pas mbërritjes në përfundimin se Pele dhe Maradona duhej ta ndanin këtë çmim, braziliani tha: “Nëse Maradona mendon se është lojtari më i mirë i shekullit, ky është problemi i tij.”

32. I pyetur një herë për 11-shen më të mirë të kombëtares së Argjentinës, nga vitit 1990 e këtej, trajneri Carlos Bilardo tha: “Maradona dhe dhjetë të tjerë.”

33. Maradona u emërua zëvendëspresident sportiv i Boca Juniors në vitin 2005. Ai e la këtë detyrë një vit më vonë.
34. Regjisori serb, Emir Kusturica, ka bërë një dokumentar për Maradonën, i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë, në vitin 2008.

35. Në vitin 1986, ish-menaxheri i Anglisë, Sir Bobby Robson, tha: “Me Maradonën, Arsenali mund të kishte fituar Kupën e Botës.”

36. Ish-mbrojtësi i Anglisë, Phil Neal, tha për Maradonën 18-vjeçar në vitin 1978: “Një fëmijë, është vërtet e pabesueshme, por Maradona është më i miri që kam parë ndonjëherë.”

37. Tifozët kanë themeluar të ashtuquajturën “Kisha e Maradonës” në Buenos Aires, në vitin 1998.

38. Goli i dytë i Maradonës kundër Anglisë, i cili erdhi vetëm katër minuta pas “Dorës së Zotit”, në çerekfinale të Kupës së Botës në vitin 1986, që më në fund mundi Peter Shilton, për ta bërë rezultatin 2-0, është quajtur nga FIFA si “goli i shekullit”.

39. Maradona ka një kukull lookalike, të shfaqjeve franceze “Les guignols de l’info”.

40. Ai është mik i mirë me udhëheqësin kuban Fidel Kastro.

41. Maradonës iu desh të largohej nga Napoli, në vitin 1991, pas dështimit në një test droge për kokainë.

42. Argjentinasi nuk pranoi të shkojë në ceremoninë e hapjes të finaleve të Kupës së Botës 2006 në Gjermani.

43. Në një luftë fjalësh mes tyre, për mbretërimin e Maradonës si trajner i ekipit kombëtar, Pele tha: “Ky nuk është faji i Maradonës. Eshtë faji i atyre që e futën në këtë valle.” Legjenda argjentinase iu përgjigj me të njëjtën monedhë, duke thënë: “Pele duhet të kthehet në muze dhe të qëndrojë atje.”

44. Zyrtarët italianë zbuluan vitin e kaluar se Maradona i ka borxh shtetit italian 37.000.000 euro. Më tepër se gjysma e kësaj shume është interesi i borxhit origjinal.

45. Maradona ka realizuar mesatarisht 0,526 gola-për ndeshje në garat e klubit vendas.

46. Ai është golashënuesi më i lartë, i treti, për golat e shënuar për Argjentinën, pas Gabriel Batistutës dhe Hernan Crespos.

47. Ushtria Tartane ka një himn që lavdëron Maradonën për dërgimin e fqinjëve të tyre nga Kupa e Botës 1986.

48. Maradona ka thënë në “Ëorld Cup ‘98”: “Lojtarët janë si “Robocops”, ata kanë nevojë për më shumë lubrifikant se sa masazh. Unë nuk besoj se turneu do të jetë më keq. ”

49. IIMSAM (Institucionet Ndërqeveritare për Përdorimin e Mikro-algave Spirulina kundër Kequshqyerjes) e ka emëruar Maradonën si Ambasador të mirësisë të saj, në 2006.

50. Në një libër mbi Maradonën, botuar më 1997, psikologu dhe autor argjentinas Gustavo Bernstein vuri në dukje: “Maradona është termi maksimal i referencës sonë si popull. Askush nuk e mishëron thelbin tonë më mirë. Askush nuk e mban emblemën tonë më fisnikërisht. Si ai nuk ka të tjerë, në njëzet vitet e fundit na ka ofruar aq shumë pasion. Argjentina është Maradona, Maradona është Argjentinë. ”

50 frazat më të famshme të “El Pibe de Oro”
Karriera fantastike e lojtarit nga Argjentina shpeshherë është “eklipsuar” nga ngjarjet e jetës së tij private. Por, gjithsesi, “El Pibe de Oro” kujtohet me golat dhe ikjet fantastike që bënte në fushë. Kështu sot do t’ju paraqesim 50 frazat më të famshme të djaloshit që lindi nën “shenjën” e futbollit:

·         Qershor 1978 – Buenos Aires: – “Kam dy ëndrra: së pari, dua të luaj në Botëror dhe, së dyti, dua ta fitoj atë”. Maradona, 18 vjeç, në atë kohë luante për Argentinos Juniors. Këto fjalë i tha në intervistën e parë në publik.

·         6 qershor 1984 – Barcelona: “Po më vrasin, nuk mund të më mbajnë ‘pezull’ gjatë të gjithë kohës. Barcelona duhet që të vendosë sa më parë të jetë e mundur, nëse do të më mbajë apo jo. Tani për tani mendoj se gjithçka ka mbaruar. Oferta e Napolit është një ofertë e mirë”. Maradona po i tregonte Botës dëshirën që kishte për të shkuar tek Napoli.

·         5 korrik 1984 – Napoli: “Dua që të bëhem idhulli i djemve të varfër të Napolit, pasi ata janë si unë në kohën kur jetoja në Buenos Aires”. Kështu tha Maradona gjatë prezantimit zyrtar në stadiumin “San Paolo” (përballë 70000 spektatorëve).

·         24 nëntor 1984 – Milano: “Diçka nuk shkon, unë jam i pafajshëm. Asnjëherë më parë nuk jam dënuar me kraton të kuq për diçka të tillë. Nuk di ç’të them. Për mua topi është gjithçka, jam shumë i mërzitur”. Kështu u mundua të bindte Diego Maradona Komisionin e Disiplinës, që më pas ia hoqi dënimin, pas kartonit të kuq (i pari që merrte në Itali) që mori në takimin ndaj Askolit.

·         26 shkurt 1985 – Napoli: “El puvlico de Napoli me buole vene” (Publiku i Napolit më do shumë). Diego Maradona, pas tregolëshit që realizoi ndaj Lacios ( Napoli fitoi 4-0), nuk fliste ende mirë italisht.
9 nëntor 1985 – Romë: “Po është e vërtetë, u grinda me Papën. Debatova shumë me të, pasi isha në Vatikan dhe pashtë tavanet prej ari. Dhe më pas, kur dëgjova teksa më thoshte se Kisha ishte e preokupuar për fëmijët e varfër, atëherë i thashë: Mik (“Amigo”) shit tavanet, bëj diçka!”. Diego Maradona pak ditë pasi kishte asistuar në Meshën e mbajtur nga Papa Gjon Pali në Vatikan.

·         22 qershor 1986 – Nju-Meksiko: “Në fushë nuk ‘luftohet’ me armë, por me top. Unë nuk di të flas anglisht. Megjithatë, edhe po të dija, nuk do të flisja asnjë fjalë”. Maradona pak orë para takimit midis Argjentinës dhe Anglisë.

·         24 qershor 1986 – Nju-Meksiko: “Goli i parë? Un poco con la cabeza de Maradona y un otro poco con la mano de Dios (E realizova me kokën e Maradonës dhe dorën e Zotit). Goli i dytë i mrekullueshëm? Ju lutem, e vetmja mrekulli që njoh është Raquel Ëelch”. Diego Armando Maradona pas dygolëshit fantastik të realizuar ndaj Anglisë (pra siç e njohin të gjithë, goli me dorë dhe goli më i bukur në historinë e futbollit).

·         1 gusht 1986 – Romë: “Zoti është i drejtë, kështu që kundrejt Napolit nuk do të merret asnjë masë. Për procesin e basteve nuk dua as t’i dëgjoj emrin. Tani dua të fokusohem në sezonin e ardhshëm. Ne mund të luftojmë për skudeton, por tifozët nuk duhet të ëndërrojnë. Ne nuk duhet të bëhemi mendjemëdhenj. Ne duhet të luajmë me këmbë në tokë, pasi i dimë limitet tona, ashtu siç i dinte dhe Argjentina në Meksikë”. Maradona bën “profetin”. Napoli fitoi kampionatin më 1987.

·         30 korrik 1987 – Havanë: “Që sot e tutje do të kujtoj përgjithmonë momentet e bukura që kam kaluar këtu. Do të më pëlqente shumë që unë të bëhem ‘kumbari’ i futbollit kuban. Diego Maradona, pasi vizitoi Fidel Kastron.

·         1 maj 1988 – Napoli: “Nuk dua të shoh në shtëpinë time flamuj kuqezi”. “El Pibe” para takimit deçiziv me Milanin (në San Paolo, Milani mundi Napolin 3-2).

·         10 tetor 1988 – Napoli: “Hiqeni atë pikëpyetje, atë top e preka me dorë. Kësaj radhe do të ketë qënë dora e Shën Xhenaros, më shumë se sa ajo e Zotit”. Diego Maradona teksa fliste për gazetarët pas ndeshjes Napoli-Atalanta (përfundoi 1-0 për Napolin; në minutën e 90′ realizoi Giaçhetta pas një episodi të dyshimtë të Maradonës.

·         15 shkurt 1989 – Napoli: “Unë jetoj në rrugën “Scipione Capece”, gazetarët le të vijnë në shtëpinë time, ata nuk duhet të fshihen pas penës. Për Dalma-n, për Claudia-n (vajzat), për gratë e mia, unë do të lija futbollin. Një gjë të tillë nuk do ta bëja kurrë pas thashethemeve të gazetarëve për jetën time private. Nëse ndonjë pederast flet përsëri, unë do t’ia …”, – tha Maradona, me gishtin e mesit të ngritur lart, teksa po kërcënonte gazetarët në një lokal në Napoli.

·         17 maj 1989 – Napoli: “Trofeu im më i bukur? Është i fundit, pasi nuk kam shumë që e kam fituar”. Maradona, teksa po hynte në San Paolo me Kupën UEFA në dorë.

·         31 gusht 1989 – Buenos Aires: “Me Napolin tashmë ka mbaruar gjithçka. Unë kam raporte të mira me Moxhin, por me presidentin Ferlaino jo. Prandaj nuk kthehem. Moxhi është një person shumë i mirë, Ferlaino jo”. Maradona lëshoi sinjalet e para që paralajmëronin largimin.

·         10 shtator 1989 – Napoli: “U ktheva për qytetin dhe tifozët”. Diego u rikthye në Itali pas tre muajve të verës që i kishte kaluar duke u grindur me presidentin.

·         9 dhjetor 1989 – Roma: “Gjithçka është trukuar vetëm për të favorizuar Italinë dhe kështu për të dëmtuar Argjentinën”. Maradona komentoi kështu shortin e Botërorit që u zhvillua në Itali. Më pas argjentinasi u gjobit rëndë nga FIFA për këto fjalë.

·         8 mars 1990 – Napoli: “Bigon tha se kishte nevojë për 11 lojtarë që vrapojnë. Atëherë unë e zbrita me këmbë në tokë dhe i thashë se nuk duhet të mbështetej tek unë, pasi asnjëherë nuk kam vrapuar në jetën time”. Maradona para takimit Leçe-Napoli shpjegon përjashtimin nga skuadra.

·         24 qershor 1990 – Torino: “Ishte e diel (mëngjes) dhe pashë se më kishte mbaruar pasrroja. Në atë moment dola nga hoteli dhe takova disa persona. U habita shumë, pasi nuk po ndodhte asgjë. Askush nuk më ndalonte në rrugë, askush nuk më kërkonte autograf. Të gjithë më lanë të qetë. Hyra në një dyqan duhani dhe aty nuk ndodhi asgjë: “Faleminderit, mirupafshim”. Për herë të parë ndjeva të tjerët larg meje. Të gjithë më respektuan në maksimum. Në Napoli dhe në Itali kjo gjë nuk më kishte ndodhur kurrë. Asnjëherë nuk më kishin konsideruar si një person normal”. Diego, pak para se të fillonte një ndeshje Botërori me Argjentinën e tij, tregoi episodin që i kishte ndodhur në Torino.

·         3 korrik 1990 – Napoli: “Napoletanët dinë se për cilin të bëjnë tifo”. Maradona “nxit” “San Paolo” që të bëjë tifo për Argjentinën (para gjysmëfinales që do të luante ekipi i tij me Italinë).

·         4 dhjetor 1990 – Madrid: “Fundi është shumë pranë, tashmë kam vendosur, dua të tërhiqem. Luaj futboll prej 15 vjetësh. Tanimë kam nevojë të bëj një jetë të qetë. Jam i lodhur që të luftoj i vetëm kundër të gjithëve. Them kështu, pasi po luftoj edhe kundër gazetarëve e drejtuesve të klubeve. Dua të kthehem e të shijoj Argjentinën time”. Diego nuk ka më fuqi të ‘luftojë’ në Itali.

·         15 gusht 1991 – Buenos Aires: “Së pari, e di që i kam bërë keq vetes sime. Kështu kam dëmtuar familjen time, vajzat e mia. Besoj se në të ardhmen do të mësoj ta dua më shumë veten time. Por nga ana tjetër, ju them se nuk më vjen turp. Nuk i kam bërë keq askujt përveç vetes sime dhe të afërmve të mi. Më vjen keq. Tani për tani, ndiej shumë keqardhje, vetëm kaq (…) Nuk dua më që të më detyrojnë të luaj, edhe kur nuk jam i zoti. Nuk dua që të më mbushin me kortizone vetëm që të jem gati për ndeshjet, që kështu të abonohen sa më shumë persona. Të afrohen sa më shumë persona në fushë. Nuk dua të rrezikoj jetën time, duke luftuar për kampionatin apo edhe për të shpëtuar nga rënia nga kategoria. Psikologët mua po mundohen që të më largojnë nga kokaina dhe jo nga jeta”. Kështu u “shfry” Maradona pas lajmit që tregoi se ai merrte kokainë.

·         16 korrik 1992 – Napoli: “Nëse Napoli nuk më lë të lirë, atëherë unë do të kthehem në një kadavër futbolli”. Maradona mbylli përfundimisht aventurën në Itali.

·         12 dhjetor 1992 – Sevilje: “Dua të luaj, edhe pse e kam meniskun copë–copë. Kush matet shumë, asnjëherë nuk ka për të mbërritur i pari. Unë dua të luaj dhe të fitoj. Është një çmenduri? Unë do të luaj rolin e budallait për tërë jetën”. I përhershmi Maradona.

·         10 shkurt 1994 – Buenos Aires: “Kam qëlluar, është e vërtetë. Do të paguaj për gabimin që bëra”. Diego Maradona sapo pranoi që ka qenë ai që ka plagosur 6 gazetarët që qëndronin në oborrin e shtëpisë së tij në fshat. “El Pibe de Oro” plagosi këta të fundit me pushkë që nxirrnin topa me presion.

·         13 mars 1994 – Napoli: “Pugliese deliron, ai është një nga personat që është bërë popullor mbi shpatullat e mia”. Maradona i përgjigjet kështu “të penduarit” Pugliese, që deklaroi në gjyq se Napoli humbi skudeton e sezonit 1987-88 me urdhër të Kamorras.

·         2 korrik 1994 – Boston: “Më vranë teksa doja t’u tregoja vajzave të mia se mund të ‘luftoja’ me 20-vjeçarët. Në shtetin e demokracisë nuk më lanë të flisja dhe nuk më lejuan të thosha atë që mendoja. Në momentin që unë dola nga Botërori, atëherë doli i gjithë shteti im. Dolën të gjithë atë që më donin”. Diego shprehu të gjithë mërinë e tij pas rezultatatve të antidopingut dhe dënimit nga FIFA.

·         4 shtator 1994 – Buenos Aires: “Thashë se FIFA më preu këmbët. Tani ata sapo më prenë të tërë trupin. Më vranë”. Diego Maradona theu heshjen për shtyp pas pezullimit 15 muaj larg futbollit, që i dha FIFA për rastin e dopingut të Botërorit.

·         5 janar 1995 – Paris: “Nuk do të luaj më. Nuk dua që t’u jap mundësi njerëzve si Havelanzh e Blatter që të më ‘plagosin’ dhe të më bëjnë keq”. Diego foli për presidentët e FIFA-s, pas i dorëzuan “Topin e Artë” Xhorxh Ueasë.

·         2 shkurt 1995 – Buenos Aires: “Arbitrat tanë do të ishin shumë të zotë në stadiumet pa publik. Por ata sapo shohin 50.000 spektatorë dhe TV-të duan që të transformohen në yje spektakli”. Diego Maradona i bëri thirrje shoqatës së arbitrave dhe teknikëve që të frenojnë “aktrimin” e arbitrave.

·         10 janar 1996 – Buenos Aires: “Dola pozitiv në testin e kokainës me dashje. Doja që të largohesha nga Napoli”. Ky ishte rrëfimi “i fundit” i Diego Maradonës, që u kujtoi të gjithëve së çështja e dopingut, pas ndeshjes me Barin në mars ‘91, i kushtoi dy vjet pezullim.

·         8 tetor 1996 – Paris: “Do t’u duhet që të na dëgjojnë dhe të na respektojnë. Ne jemi protagonistët e futbollit. Në këtë Botë, ku rëndësi kanë vetëm paratë, aferat dhe fabrikat, duhet të mendojmë edhe për njeriun. Duhet ta vendosim atë në qendër të gjithçkaje. Ne nuk duhet t’i lejomë gjërat që të shkojnë ndryshe. Tani dua që të ngremë këtë dolli. Ju përqafoj të gjithëve”. Diego, midis drogës dhe versionit të ri që e shihte si një “sindikalist” anti-FIFA.

·         3 shtator 1997 – Buenos Aires: “Janë të shumtë ata që duan të më japin një pistoletë që të vras veten. Heshtni”. Diego deklaroi se kishte pushuar së luftuari në një tv argjentinas.

·         17 qershor 1998 – Buenos Aires: “Dua që të jetoj si një njeri normal. Nuk dua që të presin në asnjë lloj mënyre. Unë as nuk dua që të varem nga dikush. Gjithashtu, nuk dua që t’i jap llogari askujt, aq më shumë atij të korruptuari që quhet Blatter: ai është një që fiton 50 milionë në muaj dhe tani bën edhe si president… Ju lutem, mos më bëni të qesh. Një ditë më parë e dëgjova teksa fliste dhe m’u duk si një aktor telenovele për fëmijë”. Diego, edhe një herë kundër Blatter-it në vigjilje të Botërorit Francë 1998.

·         19 janar 2000 – Havanë: “Erdha këtu për të kuruar zemrën, kam besim tek mjekët kubanë. Fideli më dha oksigjenin për të mbijetuar. Ai ka zemrën më të madhe se të gjithë ne”. Diego foli teksa zbriste i shushatur nga shkallët e aeroplanit. Ai zbriti në Havanë me mbipeshë dhe me shpresë që të kurohej.

·         23 nëntor 2000 – Buenos Aires: “Është ëndrra ime. Më pas nuk do të bezdis njeri”. Diego kërkoi që të përshëndeste futbollin për të fundit herë në një ndeshje Argjentinë-Brazil.

·         24 janar 2001 – Romë: “Unë kam bërë një zgjedhje, edhe pse të keqe, por ja që e kam bërë. askush nuk më drejtoi pistoletën në kokë. Por unë nuk valëvis flamurin e drogës: Rroftë droga! Jo!. Droga është gjëja më e keqe në Botë”. Diego “u rrëfye” në një intervistë të dhënë një televizioni italian.

·         29 qershor 2002 – Jokohama: “As që më shkonte ndër mend që japonezët do të mund të më mohonin vizën. Unë s’kam vrarë ndokënd! Ata nuk mund të më trajtonin si të isha kriminel. Ata nuk mund të më bënin diçka të tillë pas asaj që bënë. Ata lejuan që Amerika të luante në Kupën e Botës edhe amerikanët i hodhën bombën atomike në Hiroshimë”. Diego foli pak minuta para se të fillonte finalja e vogël e Botërorit 2002 që u zhvillua në Kore të Jugut dhe Japoni.

·         27 maj 2005 – Milano: “As Brazili që fitoi Kupën e Botës më 1970, nuk do të mund të kthente rezultatin pasi të pësonte tre gola”. Diego Maradona foli pas finales që fitoi Liverpuli ndaj Milanit (kuqezinjtë mbyllën pjesën e parë në avantazhin e tre golave, më pas humbën nga pika e bardhë e penalltive).

·         28 dhjetor 2005 – Buenos Aires: “Jam 45 vjeç dhe nuk mendoj se do të luaj më. Nuk kam ndërmend që të humb respektin e topit”. Kështu iu përgjigj Diego Maradona një klubi argjentinas të Serisë C.

·         1 shkurt 2008 – Londër: “Nëse mund të kthehesha prapa, do të doja që të fshija atë gjest. Por ju lutem, mos më kërkoni që të fshij fitoren e madhe të merituar të Argjentinës”. Mardona foli 22 vjet pas ‘mano de Dios’. Atë ditë Diego Maradona u kërkoi falje anglezëve për golin që u shënoi me dorë gjatë Botërorit ‘86.

·         31 tetor 2008 – Buenos Aires: “Do të luajmë kundër Skocisë, prandaj duhet të përgatitemi mirë. Do të shkoj në një shtet ku më adhurojnë: më dashurojnë pasi i kam shënuar një gol Anglisë. Dihet që skocezët dhe anglezët nuk shkojnë mirë”. Deklaratat e para të Maradonës si trajner i Argjentinës.

·         6 mars 2009 – Buenos Aires: “M’u desh që të rindërtoja edhe një herë nga e para jetën time. M’u desh që edhe një herë të rikthehesha të ‘luftoja’. Tashmë shpeshherë ngrihem në katër të mëngjesit dhe filloj dhe bëj formacionin. Përgatis skemat e ekipit. Jam shumë entuziast që kam filluar të stërvis Argjentinën”. Diego hapi zemrën për një televizion argjentinas.

·         27 mars 2009 – Buenos Aires: “Shih kush flet, ai që ka humbur virgjërinë me një burrë”. Diego i përgjigjet Pelés, që tha se argjentinasi nuk është një shembull i mirë për të rinjtë.

·         14 tetor 2009 – Montevideo: “Para los que no creyeron, con el perdòn de las damas, que la chupen, y que la sigan chupando”. Pas fitores me Uruguai, që i dha biletën Argjentinës për në Botërorin e 2010-ës, Maradona ftoi të gjithë kritikët që t’ia ….

·         3 mars 2010 – Monako: “Nuk bëj asnjëherë konferenca kur pranë meje ulen lojtarë. Jam mësuar të rri i vetëm në skenë”. Diego nuk deshi që “të ndajë” skenën me sulmuesin e Gjermanisë, Thomas Muller. Ky i fundit më pas e bëri të qajë Maradonën në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e Botërorit të 2010-ës (Gjermania shkatërroi Argjentinën 4-0, e gjeni kush bëri golin e parë?)

·         23 mars 2010 – Buenos Aires: “Të shohësh teksa luan Messi është 100 herë më mirë se sa të bësh dashuri”. Diego foli për pasardhësin e tij tek Barça.

·         24 qershor 2010 – Palermo: “Javier Pastore është i pasjellshëm me futbollin. Ai është një i çmendur që luan futbollin më të bukur në Botë”. Maradona foli kështu pas ndeshjes së parë së Pastores me kombëtaren e Argjentinës ( bardhekaltrit luajtën me Greqinë).

·         2 korrik 2010 – Kejp Taun: “Largoi nga loja pa asnjë motiv një lojtar portugez si dhe i quajti si të rregullt një gol Vilës që ishte jashtë loje: vijërojtësi më duket si Andrea Boçeli”. Maradona iu referua arbitrit Baldassi. Ky i fundit u akuzua se favorizoi Spanjën kundër Portugalisë në çerekfinalet e Botërorit që u mbajt në Afrikën e Jugut.

·         24 shtator 2010 – Buenos Aires: “Po vdes nga dëshira që të rikthehem edhe një herë në krye të pankinës së Argjentinës. Po pres një telefonatë, jam i dëshpëruar, jam gati të jap një dorë vetëm që të marr përsëri vendin tim në krye të përfaqësueses së vendit tim. Argjentina e sotme është skuadra ime. E ndiej ajo është imja. Mendoj se kam ende shanse që të rikthehem komisar teknik i Argjentinës. Pas Botërorit isha në zi, pasi më vdiq një ëndërr. Unë doja kupën, por ne ramë menjëherë sapo ndërtuam një skuadër të fortë. Ne duhet të luanim finalen me Spanjën.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/