Diego Armando Maradonës nuk i ndahen telashet. Legjenda argjentinase e futbollit është bllokuar në aeroportin e Buenos Airesit për shkak të problemeve me dokumentacionin. Shtypi argjentinas njofton se El Pibe De Oro, po përgatitej për t'u nisur drejt Dubait i shoqëruar nga e fejuara e tij Rocio Oliva, por në momentin e dorëzimit të dokumentave, policia kufitare i komunikoi se posedonte një pasaportë të falsifikuar, ose më saktë mjeti i tij i identifikimit rezultonte i vjedhur. Mirëpo Maradonda, me një temperament shpërthyes, është hedhur në kundërsulm, duke deklaruar se kjo situatë lidhej me politikën. Ai u shpreh se nuk do të lejonte njeri që t’i tregonte se çfarë duhet të bënte në jetë. Prej 15 vitesh bën atë që dëshiron dhe nuk do të dëgjojë njeri t’i thotë se ç’duhet të bëjë të jetë. Denoncimi se i kanë vjedhur pasaportën, sipas 55-vjeçarit, ishte një budallallëk. Ai shtoi më tej se avokati i tij kishte për detyrë për të hetuar këtë gënjeshtër të orkestruar nga ndonjë politikan. Maradona këmbënguli se bëhet fjalë për një hakmarrje të njerëzve pranë presidentit Macri, të cilin e kishte kritikuar në shtyp.