Nuk ndalet Diego Armando Maradona me skuadrën e tij Dorados de Sinaloa. Skuadra e “El Pibe de Oro”, vijon ëndrrën e saj për tu ngjitur në ligën e parë meksikane, duke qenë tashmë vetëm një hap larg superfinales ku ndeshen fituesja e Aperturas me fituesen e Clausuras (nuk luhet fare nëse i fiton e njëjta skuadër) .
Ekipi nga Sinaloa mposhti në finalen e parë të Aperturas në Liga de Ascenso, 1-0 klubin Atletico San Luis. Nuk mund të mos harrohet fakti, se Maradona mori Dorados, kur ata gjendeshin në vendin e 13-të, dhe tashmë i ka udhëhequr në finalen e play off-it.
Ndeshja e dytë mes dy skuadrave do të luhet të dielën, më 2 dhjetor, në stadiumin Alfonso Lastras të San Luis.Sfida ishte mjaft e luftuar, ku nuk munguan ndërhyrjet e rënda nga të dyja palët, një gjë normale, duke marrë parasysh peshën e kësaj ndeshjeje.
Ishte Edson Rivera ai që mendoi të zhbllokonte takimin, pas një devijimi të saktë në goditje standarde, dhe t’i jepte fitoren Dorados dhe tranjerit të tij Maradona, në finalen e parë. Tashmë 90 minuta ndajnë “Don Diegon” nga titulli i Aperturas dhe nga kualifikimi në superfinalen e Liga de Ascenso, një arritje kjo që do t’u mbyllte gojën kritkëve të tij.
Në këtë sfidë Maradona mori edhe kartonin e tij të parë të kuq që nga mbrritja në Meksikë pasi në minutat e fundit të sfidës polemizoi ashpër me gjyqtarët për një vendim të kryesorit.





