SPANJE – Gazeta “Marca” krijoi një mjegullnajë të vërtetë në ambientet e Realit të Madridit, duke hedhur një “shashkë” në klubin mbretëror pas transfertës së Valencias. Sipas së përditshmes pranë klubit “merengues”, Kasijas e Serxhio Ramos i lëshuan një ultimatum klubit, duke kërkuar largimin e Murinjos, në të kundërt kërcënuan me largimin e tyre. Lajmin, pak orë më vonë, e përgënjeshtruan, si dy futbollistët por edhe presidenti Perez, duke theksuar se nuk ka asgjë të vërtetë. Por gazetari Miguel Serrano, autor i shkrimit, mendon ndryshe.
“‘Marca’ e publikoi këtë shkrim në bazë të burimeve që ne nuk kemi ndërmend t’i publikojmë. Nuk mund ta bëjmë këtë, janë punonjës të Realit të Madridit. Gjithsesi, gazeta jonë ka emrat e të gjithë lojtarëve që duan të largohen nga Reali nëse Hoze Murinjo do të mbetet në stolin e skuadrës, ashtu siç konfirmoi presidenti Perez”.
Dhe pikërisht për të ritheksuar se ky nuk është një lajm fals, gazeta spanjolle nxori një suplement të thjeshtë me mbishkrimin “Marca nuk gënjen”.
“‘Marca’ nuk është e interesuar të destabilizojë ambientin e Realit të Madridit. Në radhë të dytë, ne nuk duam të dëmtojmë as lexuesit tanë, pjesa më e madhe e të cilëve janë tifozë të Realit. Pra me pak fjalë, nëse ne kemi si qëllim të sulmojmë Realin e Madridit, atëherë prishim biznesin tonë. E cilësojmë absurde kritikën ndaj nesh, që na cilëson si gazetë që kërkon të destabilizojë Realin apo çdo klub tjetër”.
Në vijim të intervistës, Serrano shton se askush në klubin e Realit nuk e dëshiron qëndrimin e Murinjos.
“Klubi, presidenti, drejtorët edhe lojtarët nuk duan që Murinjo të qëndrojë, por gjëja më interesante është se as Murinjo nuk kërkon të qëndrojë te Reali. Drejtorët dhe lojtarët janë lodhur me të dhe Murinjo është lodhur me ta”.