Trajneri i njohur italian, Marçelo Lipi, i cili e shpalli kombëtaren e shtetit të tij kampione bote në 2006, ka sulmuar ashpër Federatën Italiane të Futbollit pikërisht në ditën e ndeshjes hapëse të kualifikueseve të Botërorit, atë në transfertë ndaj Izraelit. Ai i akuzon ata si të papërgjegjshëm për shkak se i kishin premtuar rikthimin për të punuar në Federatë dhe nuk e kishin mbajtur fjalën.
“Ne prisnim emërimin e Venturës si trajner që më pas të shpallnim pozicionimin tim si drejtor teknik i kombëtares. Punova për dy muaj në Federatë, fola vetë me Montelën dhe pretendentë të tjerë për t’u bërë trajner të kombëtares dhe në fund zgjodhëm Venturën. Më pas, një ditë para prezantimit të tij, presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, me të cilët kisha folur për projektet e së ardhmes, më informojnë që para 1 viti e gjysëm ishte ndryshuar një pikë në rregullore që nuk lejonte të afërm të menaxherëve të lojtarëve të punonin në Federatë. U ka ikur mendja”, ka thënë Lipi për mikrofonat e RAI-t.





