Tiranë, 8 mars 2014 – Aktorja e njohur e skenës dhe ekranit, Margarita Xhepa, sot do t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Muajt e fundit gjendja shëndetësore e aktores së shquar të teatrit dhe kinemasë është rënduar, ndërsa që prej një viti i janë shfaqur dukshëm problemet me ecjen. Aktorja i ka përballuar vështirësitë e ecjes me kurajë të madhe, buzëqeshje, fisnikëri, dhe nuk ka munguar gjatë vitit që shkoi në asnjë aktivitet artistik.
Por gjatë dy muajve të fundit gjendja e aktores Margarita Xhepa është rënduar mjaft. “Aktorja ka pasur dhimbje dhe vështirësi për të ecur dhe tashmë nuk mund të dalë as nga shtëpia”, pohojnë miqtë e saj më të ngushtë. Të afërmit janë të shqetësuar për ecurinë e këtij operacioni, për të cilin pohojnë se do të jetë i një shkalle të lartë vështirësie, sepse aktorja nuk ecën dot më. Ndërkohë mësojmë se ky operacion i vështirë do të zhvillohet sot në kujdesin e mjekëve më të mirë shqiptarë dhe italianë.
Aktorja Margarita Xhepa në prill do të festojë edhe 80 vjetorin e lindjes së saj, i cili do të kurorëzohet me filmin e xhiruar nga regjisori Kujtim Gjoni, “Margarita”. Regjisori Gjonaj pohon se tashmë është në procesin e montazhit.





