Pezullimi për shkak të dopingut nuk e ka tronditur shumë perandorinë financiare që ka ndërtuar tenistja ruse Maria Sharapova, që nuk zhvillon një ndeshje që prej janarit, kur u eliminua nga Australia Open. Revista e famshme “Forbes”, ka publikuar sot një renditje të femrave më të pasura në Rusi (top-25).
Tenistja ruse ndodhet e teta në këtë klasifikim, teksa fiton 20 milionë dollarë në vit. Ndërsa pasuria e saj kap shifrën e 260 milionë dollarëve. Shifra vërtet marramendëse për një femër, që ende nuk ka kapur të 30-at. Sponsorët nuk kanë “divorcuar” nga tenistja edhe pse doli pozitive, ndërkohë që një pjesë e madhe e të ardhurave vijnë nga kompania e saj e karameleve, “Sugarpova”.





