Numri zyrtar i viktimave që uragani Maria la pas në ishullin e Karaibeve ishte 64, por në një raport, i cili i drejtohet Kongresit amerikan, shifra që japin autoritetet portorikane është shumë herë më i lartë.
Autoritetet në Porto Riko kanë vlerësuar se uragani Maria ka vrarë më shumë se 1,400 persona, shumë më tepër se sa numri zyrtar i vdekjeve prej 64 personash.
Shifra e re përmendet në një raport drejtuar Kongresit amerikan, ku kërkohen miliarda dollarë për të ndihmuar ishullin të rimarrë veten nga stuhia shkatërruese.
Mbështetur në statistikat e raportuara për herë të parë në muajin qershor, qeveria njoftoi se nga shtatori në dhjetorin e vitit 2017, ka pasur 1,427 vdekje më shumë sesa mesatarja e së njëjtës periudhë kohore, katër vite më parë.
Në raportin drejtuar Kongresit, ku detajohet një plan rindërtimi prej 139 miliardë dollarësh, qeveria e Porto Rikos thotë se vdekjet e tjera ndodhën nga pasojat e një stuhie që çoi në një “dështim kaskadë” në infrastrukturën e të gjithë ishullit me 3.3 milionë banorë.
Uragani Maria, si dhe ai Irma dy javë më vonë, goditën fuqishëm ishullin, duke shkaktuar përmbytje masive, si dhe duke lënë shumë të njerëz të sëmurë e të moshuar në pamundësi për të marrë trajtim mjekësor.