Gjirokastër, 16 mars 2014 – Policia kufitare e Kakavijës sekuestroi sot 5 kilogramë lëndë narkotike, të llojit marijuanë. Lënda narkotike u gjet në një çantë, e cila po dërgohej në Athinë nga një taksi. 

Mësohet se lënda narkotike ishte mbështjellë me letër kuzhine dhe ishte fshehur në një kuti me djathë dhe në kavanozat e turshive. 

Policia arrestoi menjëherë taksistin, i cili është marrë në pyetje lidhur me lëndën narkotike. Ai tha në komisariat se kishte marrë porosi nga një klient për ta dërguar çantën ku u gjet droga në Athinë dhe se nuk kishte dijeni se çfarë fshihej aty. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/