Policia italiane ka shkatërruar një rrjet ndërkombëtar droge që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë. Bëhet fjalë për tonelata marijuanë dhe kilogramë kokainë që vinin nga jashtë, me qëllim arritjen e tregut të Breshias, shkruan “QuiBrescia.it”.
Pas disa muajsh hetime të zgjeruara, karabinierët të koordinuar nga Prokuroria e Breshias zbatuan 20 urdhër-arreste, mes të cilëve 16 u kapën ndërsa të tjerët janë ende të arratisur. Bëhet fjalë për 12 shqiptarë dhe 8 italianë. Në mesin e 8 italianëve është edhe një grua.
Është një organizatë kriminale që importonte kokainë nga Holanda dhe marijuanë nga Shqipëria nëpërmjet kanaleve dhe mekanizmave të ndryshme që nga fundi i vitit 2016. Kështu në rrjet përfunduan korrierë e tregtarë të drogës. Nga Holanda shkonin drejt Italisë kilogramë kokaine në çdo udhëtim.
Autoritetet italiane kanë arritur të zbulojnë se si droga vinte nga veriu i Europës në Breshia me aeroplan, më pas ngarkohej nëpër automjete, madje edhe në kasetofonin e makinave. Pasi mbërrinte në Breshia furnizonte të gjithë tregun.
Ndërsa për marijuanën, “QuiBrescia.it” shkruan se vinte nga Shqipëria nëpërmjet skafistëve. Niseshin me gomonet plot dhe mbërrinin në Kalabri, nga ku korrierët e çonin drogën deri në veri të Italisë. Po ashtu raportohet edhe për një ngarkesë të konfiskuar nga karabinierët që ishte nisur nga jugu i Durrësit.
Për momentin nuk janë bërë me dije identitetet e të arrestuarve.





