Nga Shpëtim KODRA

Gazetari M.Mema ka projektuar një ëndërr, që e bën të fluturojë si shpend i lirë deri në foletë e shqipeve, duke u ulur anekënd Shqipërisë,  por edhe jashtë kufijve të saj, në trojet etnike. Ka ndërmarrë një mision fisnik, qytetar e intelektual. E kërkon  gjithnjë dhe e mbron  të vërtetën, duke  “gjurmuar” lashtësinë dhe autoktoninë e popullit tonë,  duke ndriçuar më tej ngjarjet e rëndësishme , si dhe figurat madhore historike, të patrajtuara sa duhet, apo të harruara. Gjithashtu na ekspozon një tablo reale të “Shqipërisë tjetër”, me resurse  të shumta e bukuri të rralla natyrore, por të braktisur e të varfëruar. Misionin ai e ndjek me  dashuri, me pasion e me  dhimbje, por duke mos e humbur optimizmin. Horaci thotë: “ridendo dicere verum”.  

E vërteta na çliron, na bën më humanë, më të drejtë e më të pamanipulueshëm. Ndriçimi sa më i plotë i të kaluarës, evidentimi i saktë e i pakontestueshëm i të vërtetave, në bazë të dokumenteve arkivore e të dhënave të reja shkencore, mbetet një detyrë qytetare, patriotike e kombëtare, përkundër mitomanisë, tendencës për të manipuluar e falsifikuar të vërtetat. Në demokraci, sa më i paanshëm e sa më i përgjegjshëm të jetë  shtypi, aq më e lirë është shoqëria. Demokracia  ëshë shtet ligjor, drejtësi, transparencë, komunikim, pjesëmarrje  e qytetarit në vendimmarrje.   Media, shtypi janë e vetmja tribunë, ku qytetari merr pjesë në demokraci dhe ku, përmes komunikimit, gjen rrugën për tek e vërteta, veçanërisht kur mugojnë instrumente të tilla demokratike, si referendumet e sindikalizmi. Opinioni publik është pushteti shpirtëror e mendor i shoqërisë, si kundërpeshë e pushtetit politik. Marin Mema na shfaqet si  një enciklopedi e zëshme divulgative , e pasur ,e larmishme  që  gjithnjë  vijon të pasurohet me të dhëna të reja nga realiteti shqiptar plot kontraste.

Gazetari  i vërtetë  në demokraci  është zëdhënës i opinionit publik.  Ai ka vizion të qartë për jetën e për shoqërinë. Ka kulturë, ide, njohuri historike, letrare, por edhe gjuhësore. Mendoj  që Marin Mema i ka këto cilësi. Ai  sjell informacion të saktë, të verifikuar në dëshmi, studime e kërkime shkencore, si dhe në  bashkëpunimin e   vazhdueshëm  me historianë e arkeologë të njohur. Gjithashtu artikulon bukur, qartë,  rrjedhshëm e në përputhje me standardin e gjuhës sonë letrare. Informon  e shtron probleme, duke krijuar opinione , si njeri me integritet e besueshmëri. Ka trajtuar problemin aq të mprehtë të drogës në romanin e tij. Është  një shpirt i ndjeshëm, që di të  thurë dhe vargje të bukura.  Problemi i parë  i rëndësishëm që  ai shtron, është origjina dhe autoktonia e popullit tonë, për shkak të çështjeve  të pazgjidhura historikisht, në raport  me fqinjët. Citoj fillimisht dy nga albanologët më të shquar.

Johan Georg  von Hahn, themelues i  albanologjisë, autor i veprës “Studime shqiptare”(1854), pohon:”Shqiptarët  janë pasardhës të  ilirëve dhe  ilirët pasardhës  të pellazgëve. Gjuha shqipe- pasardhëse e njerit prej dialekteve më të vjetra të ilirishtes”. Gustav Meyer, krijuesi i Fjalorit të parë etimologjik të shqipes (1891), kish arritur në përfundimin se “Shqipja është gjuha bijë e një dialekti të Ilirisë së Jugut”. Meyer-i i shkruante Ndre Mjedës:”Popujt japigë e mesapë janë , pa dyshim, një familje me ilirët, pra me shqiptarët e sotëm”. Në gjurmët e mesapëve  në Salento(Itali) ka shkuar dhe Marin Mema.

                Grupe  të tëra ilirësh, midis tyre dhe japigët e mesapët, u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat  jugore të saj. Mesapët  u shfaqën në Salento, në zonën nga Ignazio në Taranto në sh. VIII –VII  p.e.s.  N.Ceka:”Vijnë nga fusha e Korçës, ku kish rritje të shpejtë demografike”. Hipoteza e lidhjes së mesapëve me ilirët  është  bazuar kryesisht në emrat e personave, në gurët e varreve, ose te autorët e antikitetit. V.Pisano :”Ka dokumente të jashtëzakonshme ilire, por më tepër me alfabet grek.    Prof. Lamboley:”Mesapët përdorën alfabetin e armiqve grekë, por shfaqën rezistencë kulturore, duke e ngulitur  në  mbishkrimet  gjuhën  e tyre”. De Simone:”Mesapishtja –gjuhë  ilire  me mbishkrime të 2800 viteve më parë. Origjina e mesapishtes –ilirishtja”. M.Mema:” Në Castro na priti  Francesco d’Andria,  që u shpreh:”Në gjurmët e mesapëve është çelësi i shqipes së vjetër. Në vitet ’70 kemi bërë gërmime në Otranto e Salento, ku kemi gjetur vazo devolliane”.  Ai shpreh habinë për faktin që nuk shkojnë  në Itali studjuesit shqiptarë për kërkime të përbashkëta. N.Ceka:”Ne nuk kemi specialistë për mesapishten”.”Për origjinën ilire, apo për mesapishten që nuk ka lidhje me italishten, duhet të presim  kërkime  vetëm  nga italianët, se ne s’kemi fonde” -thotë M.Mema. Ai  rrëfen dhe për një dokumentar që kërkuan të realizonin në vitet 2018- 2019 arkeologët italianë e francezë, lidhur me zhvendosjen e disa fiseve ilire në  Pulja 2.800- 3.000 vjet më parë.  Edhe filozofia e politikës italiane është në unison me shkencën albanologjike në Itali.  Citoj pak nga fjala e presidentit S. Mattarella, në praninë edhe të presidentit I.Meta, në 550- vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në kolegjin e Shën Adrianit , në Shën Mitër Korone:”Arbëreshët  përbëjnë  një histori integrimi , një shembull se si njohja dhe respekti reciprok i kulturave, sjell rritje për komunitetet e ndryshme. Ruajtja e origjinës së lashtë , përzierja harmonike  e gjuhës, kulturës dhe traditave, kanë qenë për shekuj e janë  vlera e shtuar e këtyre komuniteteve”. “Në vitet ’50  babai i presidentit Mattarella, i kish  kushtuar një libër At Gjergj Gucetës, themeluesit të albanologjisë moderne arbëreshe”-thotë  M.Mandala.  

                Carlo Tagliavini më 1935 themeloi Seminarin e Filologjisë Ballkanike në Padova dhe e ktheu atë edhe në një qendër të rëndësishme të studimeve  albanologjike. Katedra të gjuhës shqipe  ka në shumë vende të botës.. Dashamirësinë  dhe  mbështetjen  e  studjuesve italianë njohu M.Mema. Kërkimi shkencor në Itali përshkohet  nga sensi etik dhe  përgjegjshmëria morale. Të njejtin qëndrim, si ndaj M.Memës, e preka dhe unë, si drejtor i kulturës në Bashkinë e Durrësit, me dr. Sali Hidrin, drejtorin e muzeut të kulturës popullore, në qershor 1996, kur në Trieste na pritën në Bashki  zv.kryetari  Roberto Damiani dhe drejtori i Museo civico ed arte Adriano  Dugulin.Na krijuan të gjitha lehtësirat e nevojshme, për të shfrytëzuar materialet e arkivit, lidhur me jetën e veprimtarinë e Aleksandër Moisiut, që kish babain shqiptar e nënën triestine. Më pas publikova në shtyp artikullin “A.Moisiu- figura emblematike që lidh popujt”.  Në Gubbio (Itali) ruhet dhe  mauzoleu i lashtë i mbretit ilir, Gentit, për të cilin flet gjithashtu M.Mema.

Një qëndrim krejt  të kundërt, madje armiqësor, hasi   Marin Mema  me 18.08.2012, kur e ndaluan në Qafë Botë. Donte  të kalonte  pushimet  me familjen në Greqi, në viset aq tërheqëse e të bukura të Çamërisë. I komunikuan  se është shpallur “non grata” për shtetin grek. Hyrja  në Greqinë, anëtare  e  BE-së, iu  ndalua përjetësisht. “Krimi” i tij , ose “rrezikshmëria për shtetin grek”konsiston në faktin se ka shkruar, me stilolaps  në bllokun e tij, dy reportazhe: një për Çamërinë dhe një tjetër për Negovanin e martirit të gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovanit . U ka folur shqip shqiptarëve(arvanitëve) të Greqisë. Ka kërkuar, për hir të së vërtetës historike, të zbulojë  rrënjët  iliro-arbërore të shqipes e të shqiptarëve. Albert Londres:”Profesioni i gazetarit është të vendosë penën mbi plagë”. M.Mema:”Non grata” mund ta shpallin Marin Memën, por jo të vërtetën. Nëse flasim për detin, për çamët, për  varrezat, apo për arvanitët, grekët na e mbyllin derën për në  BE”. M.Mema  mendon se  vetëm e vërteta  mund  të vlejë për të ngritur ura bashkëpunimi. Por historia  është deformuar. Shqiptarët  kanë shumë për  të dëshmuar e treguar.Pa të vërtetën s’ka drejtësi, as bashkëjetesë  normale e mirëkuptim  në të ardhmen. Prof. S.Sheme:”Akademia e Shkencave e Athinës ka botuar librin “Epiri- 4000 vjet histori e kulturë helene”, ku falsifikohet historia e Çamërisë. Grekët nuk e njohin minoritetin çam. I kanë trajtuar çamët  si turq e si bashkëpunëtorë  të nazizmit”. Te “Molosët e fundit” M.Mema shprehet:”Historia e Epirit është aq e qartë, sa dhe e turbulluar qëllimisht (nga manipulimet).Megjithatë përgjigjen më bindëse e japin vetë  historianët më të shquar të antikitetit grek: Herodoti, Tukididi, Straboni e Polibi, të cilët fiset epirote (14) i quajnë “barbarë”, pra të huaj, jo grekë”.                                                                                                                    

“Tre fiset më të mëdhenj  janë: kaonët, molosët, tesprotët. Kaonia –krahinat bregdetare të Jonit verior. Tesprotët banonin në Çamërinë e sotme. Molosët –në jug të Vjosës së sipërme, në fushën pjellore të Janinës, me emrin Heliopolis. Epiri ka qenë shesh betejash, është ndarë e përçarë, duke mbetur një pjesë në Shqipëri dhe një tjetër, me përdhunë, në Greqi. Historia e vërtetë nuk është shkruar. Ajo flet, jo thjesht me emrat e prijësve të mëdhenj dhe në trajtën e kalave e objekteve, por  edhe  të mjaft elementeve të tjera,  që janë lënë mënjanë e s’janë shpluhurosur, por kanë qenë aty, si dëshmi identitare”-vijon Mema.                                                                              

Edhe Marko Boçarin e konsiderojnë grek.  Pretendimet territoriale të fqinjëve u rrinë shqiptarëve mbi kokë si “shpata e Damokleut”. Por shpatën e tyre duhet ta mundë sot penda e të diturve e jo vetëm e albanologëve të huaj. Apeli që lëshon M.Mema  është  për Akademinë tonë të Shkencave dhe politikanët tanë, por edhe për ata në trojet etnike shqiptare.  M.Mema u është drejtuar “burrave të shtetit” për të kundërshtuar ligjërisht “non gratën” e tij, por politikanët tanë qeverisës nuk i janë përgjigjur. Vetëm kolegët  e tij gazetarë kanë protestuar para ambasadës greke.  Qeveritarët  tanë  heshtin, edhe kur qeveritarë  grekë organizojnë mitingje, në mbrojtje të kryebashkiakut të Himarës”- shprehet Mema. Madje ngrihen edhe  parulla të  “Vorio Epirit”. Nuk  respektohet  kushtetuta, nuk mbrohet  pavarësia,sovraniteti,  autoktonia e lashtësia  e Shqipërisë. Madje, gjatë gjithë tranzicionit “demokratik” në Shqipëri, që nga 02.08.1992, Kishën Ortodokse “Autoqefale” e drejton Anastas Janullatos?! Noli nuk jeton më. Që nga Platoni e Sokrati kërkohej  që politikanët  të vinin nga sfera e kulturës. A.Smith:”Kultura duhet  të ushqejë  institucionet  demokratike”. Edhe B.Merxhani thonte:”Nga kultura në politikë”.Në parlamentin e parë shqiptar populli kish zgjedhur figurat më të shquara të kulturës. Kultura kushtëzon pasurinë materiale e shpirtërore të kombit. Këto vite në parlamentin shqiptar ka pasur e ka  deputetë  të paaftë, por edhe mjaft të  korruptuar e   të inkriminuar. Ka deputetë  që nuk flasin fare. Pra është luks i tepërt prania e 140 vetëve në parlament. Të tjerë,  kur flasin, më shumë bërtasin dhe fyejnë e shpifin kundër njeri-tjetrit, duke u kthyer nga ligjvënës në ligjshkelës.

Në tempullin e demokracisë të punësuarit nga populli, por të zgjedhur nga kryetarët e partive e  që marrin shumëfishin e pagës së nëpunësit të zakonshëm, hyjnë e dalin, kur të duan në parlament.  Mund të mungojnë  deri në 6 muaj,se  kanë imunitet. Ata nuk dinë a nuk duan t’u  kundërvihen politikave nacionaliste ekstremiste të politikanëve fqinj?!  Vetëm intelektualët  më  të shquar, specialistët më të mirë të fushave  dhe të rinjtë e talentuar, të aftë e atdhetarë, si M.Mema  e  të zgjedhur me maxhoritar, mund ta ndryshojnë politikën. Kryetari i partisë nuk mund të jetë edhe kryetar i qeverisë, se  vendos për gjithçka e flet vetëm për suksese. Por “propaganda në demokraci  është dhunë”. Populli vetëm  ditën e  zgjedhjeve duket  sikur  vendos. Nuk  pyetet populli  as për ruajtjen dhe tjetërsimin funksional  të tempullit të diktatorit.  As për  shembjen e tempullit  të  artit, Teatrit Kombëtar,ku artistët e njerëzit e thjeshtë protestuan 2 vjet. As  për  shembjen e tempullit  të sportit, stadiumit  më të mirë, të cilit i hoqën dhe emrin e Qemal Stafës, komunistit më idealist.  Modele suksesi ka plot bota perëndimore, ku elitat  janë baza e demokracisë.  Atje nuk ka diferenca të mëdha me pagat e politikanëve, as korrupsion si te ne. Kryetar i Akademisë së Shkencave nuk mund të jetë një ish ministër, ish kryetar partie e parlamenti, apo matematikan.  Për matematikën ka nobelistë bota. Neve na duhet një personalitet i shquar a një historian i ri,  i papolitizuar e me tituj  shkencorë . Parlamenti nuk i ka dënuar ende krimet e diktaturës e të diktatorit.  Dhe M.Mema sjell historinë e frikshme të Spaçit, Gulagut shqiptar, për ta mbajtur gjallë Kujtesën. Demokracia  nuk është e nuk do të jetë   funksionale, as e vërtetë, përderisa parlamenti nuk e ka kryer ende atë proces politik, etik e kulturor. Nëse e tashmja nuk e gjykon të shkuarën kriminale, humbet të ardhmen.    

Duam të bëjmë gjëra të mëdha. Dy  aeroporte, pasi u shpenzuan miliarda për atë të  Kukësit ,që nuk përdoret. Popullsia nuk po shtohet . Dy satelitë Albania 1 e 2, me vlerë  6 milion dollarë për 3 vjet, janë leshuar në hapësirë. Do  të shkulet   Porti shekullor, në hyrjen historike të të cilit janë shpenzuar  miliarda për hekurat dhe betonin e Velierës.  Edhe aty  u shkulën buste e lulishte. U shkul shatërvani i vitit 1928 në sheshin para bashkisë në Durrës. U inaugurua  Rruga e Arbrit, por  tuneli ende s’ka mbaruar. Çërçill: ”Politikani bëhet burrështetas, kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”. Aktualisht, socialistët,  patronazhistët e aktivistët mendojnë  për zgjedhjet e vitit 2025, apo dhe 2029. Nga të gjitha punët mendore më e rëndësishmja  është historia.  Ende nuk kemi një Histori të Shqipërisë, apo të Shqiptarëve,  të gjithëpranuar nga   historianët me tituj të lartë shkencorë. Përmes historisë pasqyrohet qytetërimi, zhvillimi ekonomik, shoqëror, politik e kulturor.  Për  ndriçimin e  saktësimin e mëtejshëm të  disa ngjarjeve e figurave të historisë së shqiptarëve  përpiqet  edhe M.Mema,  i ndihmuar nga  specialistë  që ai i konsulton vazhdimisht,  duke qartësuar dhe publikun. Kush punon për kombin dhe për çeshtjen kombëtare  me frymëzim, dashuri e përgjegjësi qytetare, mbetet idealist. Dija, kultura, gjuha,traditat duhet t’u përcillen brezave. Vetëm e vërteta  është e drejtë. Intelektualë si M.Mema, e dinë që e vërteta mund të mbulohet, falsifikohet a errësohet për një kohë, por s’mund të shuhet.  Populli s’mund të jetë i lirë, nëse s’njeh historinë e vërtetë . Janë politikanët  fqinj që ushqejnë urrejtjen nacionaliste e shoviniste.Gjuha, historia e kombi ynë  janë sulmuar në mënyrë kriminale. Te “Projekti që kërkoi zhdukjen e shqiptarëve” thuhet:”Pas datës 18.5.1944 Lëvizja N.çl. Maqedone, përmes Vetko Uznovskit, kërkoi  ndihmën e Lëvizjes N.çl. të Shqipërisë. Me 14.6.1944 erdhi përgjjigjja pozitive, për të koordinuar forcat antinaziste dhe antinacionaliste. Por me 2.8. 1944 u mblodh Asambleja Antifashiste N.çl për Maqedoninë dhe vendosi krijimin e themeleve të Maqedonisë si shtet, në kuadër të Jugosllavisë Federative. Maqedonët u shpallën si e vetmja popullatë shtetformuese dhe maqedonishtja si e vetmja gjuhë zyrtare. Qerim Lita:”Shqiptarët u shpallën armiq të regjimit të ri komunist. Beteja të shumta pati në shtator- tetor1944 ndërmjet forcave nacionaliste shqiptare, të udhëhequra nga XH.Gostivari e Arif  Dragomanti dhe  ushtrisë sebo-maqedonase në rrethet e Kumanovës, Kërçovës, Gostivarit e Tetovës. Pas datës 19.11.1944 trupat serbo-maqedonase rrethuan Tetovën, ku sollën  afro 10.000 shqiptarë, të cilët u masakruan, ose vdiqën nga sëmundjet e uria, në një kamp serb në ndërtesat e Monopolit të duhanit”. Arsim Sinani:”Kushtet ishin të tmerrshme.  I pushkatonin,  ose i thernin, duke i vënë para dilemës: të pranonin ripushtimin, ose të largoheshin nga trojet e tyre. S.V.Tempo e L.Koliçevski, që kishin premtuar vetëqeverisjen, u bënë frymëzuesit e masakrës, për të cilën më pas nuk duhej të flitej. ” E.Hoxha në plenumin e KQ (18-20.12.1946) do të shprehej:” Jugosllavia  është më e avancuar se ne. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive”.Të vërtetat e zbuluara nga gazetari e emoconojnë  dhe e frymëzojnë publikun.  Pa një histori shkencore, s’ mund të kemi  identitet të përcaktuar e dinjitet kombëtar.

Nuk është aspak dinjitoze  të vijojnë të festohen ende dy data të ndryshme  çlirimi nga të dy krahët e politikës, edhe pas 79 vjetësh të vendosjes së pushtetit komunist. Prof.dr. Valentina Duka sjell fjalimin triumfues të Enver Hoxhës më 28 nëntor 1944 para hotel “Dajtit”:”Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë- Dita e Çlirimit dhe e Bashkimit të popullit shqiptar”. Kjo datë mbeti e tillë deri me 9 nëntor 1945, kur u diskutua e u ndryshua. Shifrën 2.400 të gjermanëve të vrarë , që jep Kasmi, e dhjetëfishoi. Për pasojë duhej rritur edhe shifra në 28.000 e dëshmorëve të L.N.çl, për të cilët nuk jepet asnjë listë e saktë. Historia shkruhej e rishkruhej, sa herë e shihte të nevojshme diktatori, i cili vendoste se cili fragment i të shkuarës duhej te ruhej, cili të falsifikohej e cili të zhdukej, bashkë me portretet përkatëse. Prof.dr. Ana Lalaj  thotë:”Nuk na lejohej hyrja në arkiva. Si literaturë duhej të përdornim veprat e sh. Enver”.

                Me hapjen e arkivave tona, e vërteta  po ringjallet. Për figurën aq të anatemuar e të paragjykuar ende  të  Md’hat Frashërit,  ja si shprehet  prof.dr.Ana Lalaj:”Mid’hat Frashëri ishte protagonist i të gjitha zhvillimeve politike të kohës së tij.Në konferencën e Paqes(1919) projektit ambicioz grek, ku  bënte pjesë dhe Vorio Epiri, M.Frashëri  iu kundërvu me dëshmitë e argumentet e tij dërguar presidentit Uillson. Kryeministri grek Venizellos  e pranoi dështimin e iu drejtua M.Frashërit:”Qeshë i shtrënguar të mbroj interesat e Greqisë; bëra detyrën time, si dhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj qe më e vërteta dhe unë përulem para jush”.Krahasojeni qëndrimin e M.Frashërit me atë të  qeveritarëve tanë të sotëm, që nuk kanë kurajën të  kundërshtojnë Micotaqisin, apo të mbrojnë gazetarin Mema nga vula greke e padrejtë“non grata”. Martin Luter King:”Nëse do të kesh armiq, thuaj të vërtetën”. Dhe M.Mema tani ka armiq ekstremistët shovinistë, por nuk i ka miq as politikanët  tanë. Atë e respektojnë dhe admirojnë  pa masë njerëzit e thjeshtë. E vlerësojnë , duke i akorduar titullin  “Mirënjohje” disa shoqata. Ka merituar  edhe titullin e nderuar “Hasan Prishtina”, si dhe titullin “Qytetar nderi”në 2 qytete.

                Krimet përsëriten,nëse nuk dënohen. “Naçertania” e Ilia Grashaninit dhe “Megali Idhea” e Ilia Koletis ,si dy platforma ideologjike shoviniste,  u shndërruan në filozofi të pushtetit dhe në politikë të kishës ortodokse.Projekte në thelb të njejta për shpërnguljen, asimilimin e shqiptarëve,pushtimin e trojeve të tyre;  zhbërjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Ksenofobia te grekët dhe serbët shitet si nacionalizëm.  M.Kundera:”Nacionalistët e disa kombeve e duan vendin e tyre me krenari e arrogancë”. Mema:”E vërteta të bëhet histori dhe historia e vërtetë. Realiteti i shqiptarëve në Greqi nuk mbulohet. Nuk dua të ngjall urrejtje nacionaliste, por të evidentoj të vërtetat në Greqi, Serbi, Maqedoni, Bosnje, Mal të Zi e Turqi. Dua thjesht të provohen e të pranohen të vërtetat historike.”Non grata” s’ishte kundër Marinit, por kundër të vërtetës. Duke më shpallur “non grata”, shteti  grek pranoi në fakt se është kundër të vërtetave”.Mema përshkruan gjerësisht skandalin e frikshëm e me rrënjë shumë të thella të zhvarrosjes së eshtrave të 108 personave, pa asnjë lidhje me ushtarët grekë, në Kosinë.

                Gazetari që e ndien veten përgjegjës para vetes e para publikut, me ndërgjegje  etike e kurajo qytetare, informon e dëshmon. Duhet mbajtur gjallë kujtesa që vlen për të denoncuar falsifikimin e fakteve. Gazetari nuk është thjesht regjistrues faktesh , ngjarjesh, biografish, por analizon e reflekton mbi to. Parga e Preveza flisnin shqip. Ngre lart portretin patriotik të motrave Qiriazi:”Të shkruash shqipen me gjak”. Në Finiq fshatrat shqiptare s’kanë investime, s’kanë tabela. Emri i fshatit “Çlirim” nuk ekziston.  Për arsye pensioni, dokumentacioni e punësimi , ngurojnë të flasin shqip . Rikthim në Filat. Ka toponime shqip që ende ruhen. Dokumentet e reja përmbysin pretendimet greke për Dropullin. F.Duka:”Regjistri osman i sanxhakut arvanit (1520) tregon etnicitetin dhe karakteristikat demografike  të popullsisë dropullite. Përfshin vetëm  emra të krishterë, tipikë shqiptarë. Emra e mbiemra me kuptim të pastër shqip”. Përshkruhet dhe masakra e Peshkëpisë(1994).  

M.Mema:”Petro Nini Luarasi, martir i gjuhës shqipe,  shkroi shqip e greqisht veprën “Mallkimi i gjuhës  shqipe” më 1911, vit në të cilin  edhe u helmua. Flet për sulmet kundër gjuhës  shqipe dhe mësuesve të saj nga mitropolitët grekë, si Grigori, Fillareti e Qirilli. Fillareti, dhespoti i Kosturit , mallkoi P.N.Luarasin dhe inisiativën e tij për të hapur shkolla shqipe, si dhe për të zëvendësuar greqishten me shqipen në liturgji”. Trajton historinë e vërtetë të Himarës, përmes dokumenteve të vjetra që flasin për emërtimin “Chimera”dhe për fisin e Kaonëve. Zbulimi madhështor. Dy tuma me arkitekturë të veçantë në Spile (Himara e Poshtme). Straboni epirotët  i quante bilingë, që flasin ilirisht dhe që greqishten e përdorin në mbishkrime”. Hyjni Ceka  ka shkruar artikullin”Përputhje onomastike iliro- epirote”. Aristidh  Kola:”Arvanitasit- autoktonë në Greqi”.Një rol të veçantë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare tek  arvanitët  luajti revista “Arvanon”, me shkrime për historinë e letërsinë arvanite. Para lufte ekzistonin dy katedra të filologjisë shqipe në Athinë dhe në Selanik. Stuart Man:”Shqipja është pasardhësja moderne e dy gjuhëve të lashta: ilirishtes(gegërishtja e sotme)dhe epirotishtes(toskërishtja e sotme). Brian D.Joseph:”Shqipja është gjuhë perëndimore kentum , ndërsa greqishtja  rrjedh nga shqipja arkaike”. Gos Xhen:”Shqiptarët kanë origjinë parahelene”.M.Mema është ndalur në Margëllëç, Filat, Gumenicë e Negovan.

Ka ndjekur gjurmët e historisë për zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në  Negovan, Bellkamen, Kostur e Follorinë.Përshkruan jetën e sotme e gjurmët që nuk shuhen. Kontributi i arvanitasve në Revolucionin grek të 1821 ka qenë thelbësor. Genocidi ndaj Çamërisë nisi me aneksimin e trojeve dhe vijoi si proces më 1923-26, me shkëmbimin e detyrueshëm të çamëve myslimanë. Spastrimi i plotë etnik i Follorinës e Kosturit. Me 27 gusht 1923 u vra nga andartët grekë gjeneral E.Telini, kryetar i komisionit të Lidhjes së Kombeve, i cili i shihte shqiptarët gjer në Janinë e çamëri. Asnjë ceremoni përkujtimore zyrtare në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së tij. Ana Lalaj:”M.Frashëri bëri të pamundurën  për të ndalur spastrimin etnik”. Arben Llalla:”Bandat e N.Zervës,gjatë dimrit 1943-44 , bashkë me forcat gjermane, dogjën fshatrat  e Zagorisë e Pogonit dhe përsëri në qershor 1944 dhe në mars 1945 dogjën fshatrat shqiptare, plaçkitën pasuritë dhe vranë mijëra burra, gra e fëmijë. Beqir Meta:” Çeshtja çame ka qenë tabu në monizëm. Qeveria e E.Hoxhës u bë bashkëpunëtore e grekëve për pasojat e për fshehjen e genocidit ndaj çamëve myslimanë”.

Flamuri me krahët e shqiponjës me dy krerë, me kryq sipër e me datën 1914 poshtë, është  flamuri Vorio Epirot, i shpalosur me 17 dhjetor 1914 e që vijon të ngrihet herëpashere. Nisur nga dëshmitë e autorëve  shqiptarë si Kosta Papa Tomori, si dhe të huajve, M.Mema flet për ngjarjet tronditëse  dhe krimet makabre të andartëve  grekë në Jug e në Juglindje të vendit. Një teatër i përgjakshëm, me shumë ushtri të huaja, deri dhe ushtarë vietnamezë, më 1914 e deri më 1916. Shto këtu dhe kryengritjen e Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.  Intelektualët  grekë e  serbë,  që kanë si udhërrëfyes të vërtetën, drejtësinë e  moralin, e dinë që vetëm bashkimi i kulturave, mund të ndërtojë ura bashkëpunimi e mirëkuptimi, prandaj  u kundërvihen me kurajë e dinjitet  politikave ekstremiste, raciste shoviniste e ksenofobe.

                Deputetja Marina Janakaqi:”Këtu shkelen të drejtat e njeriut, liria e shprehjes  dhe lëvizja e lirë, duke u krijuar nje klimë negative në marrëdhëniet  ndërmjet shteteve”. Kostandin Paparigopulos:”Vetëm shqiptarët konsiderohen si pasardhës të racës ilire”.Dimitris Epikouris:”Greqia moderne nuk ka asnjë nyje që e lidh me Greqinë e lashtë.Grekët e sotëm janë përzierje e fiseve ballkanike: shqiptarë(arvanitë), sllavë e vlleh”. Më 1850 e gjithë Greqia fliste shqip. E dëshmojnë Lamartin e Shatobrian. Nikos Dimou:”Historia është e patjetërsueshme, megjithatë grekët gjithnjë kanë shtrembëruar  faktet në libra shkollorë, duke u transmetuar brezave të vërteta të rreme. Prijësit më të guximshëm të Revolucionit grek ishin arvanitas, të cilët  nuk dinin as të flisnin greqisht. Unë e dua atdheun tim. Patriot është ai që përpiqet të evidentojë  e të korrigjojë gjërat e gabuara. Unë  kam korrigjuar disa gjëra, të miat e të tjerëve”.

                 M.Mema:”Pa të vërtetën s’mund të ecet përpara. Kam hasur me shumë dhimbje zona, ku shqiptarët  e asimiluar s’e pranojnë origjinën e tyre. Mbi ta janë ushtruar presion e kërcënime. Nacionalizmi ekstrem agresiv s’mund ta ndryshojë historinë.  Institucionet  fqinje janë të ashpra dhe arkivat e tyre janë të mbyllura,  ndërkohë që institucionet tona heshtin. Megjithatë kam besim se shumë shqiptarë do ta rigjejnë vetveten. E kam prekur diçka të tillë pas dokumentarëve, mes  arvanitasve në Greqi, apo arbërorëve në Pazar të Ri, në Rekën e Epërme etj. Më kanë shkruar në rrjetet sociale. Do ta vazhdoj rrugëtimin tim, që është i vështirë, por përmban shumë dashuri. Dokumentari “Mashtrimi serb me objektet e kultit të krishterë në Kosovë”, me Florent Hasanin , ka ngjallur reagime të ashpra e të shumta në Serbi, ku objektet e kultit janë uzurpuar nga serbët. Shqiptarët e Sanxhakut- pjesë e natyrshme e Ilirisë deri në sh.VI dhe fillimin e sh.VII”. M.Mema  ka realizuar një seri dokumentarësh, si “Shqiponjat kufitare” për Sanxhakun e Serbisë. Ka pasur ndalime nga policia në Serbi(Medvegjë e Pazar i Ri). Më 1877- 1878 Nishi kishte 80 përqind të banorëve shqiptarë. Ndërmjet Mitrovicës  dhe Nishit ishin mbi 700 fshatra shqiptarë.  Manastiri i Deçanit dhe ai i Graçanicës kanë rrënjë iliro-arbërore dhe janë ndërtuar 8 shekuj, para se serbët  të pranonin krishtërimin. Akademitë shqiptare nuk reagojnë.Përse nuk ftohen akademikët serbë, maqedonas e grekë në konferencat albanologjike? Nëse ftohen e nuk marrin pjesë, ata vërtetojnë që nuk janë në gjendje të mbrojnë shkencërisht qëndrimet e tyre. E vërteta gjithnjë e ka kohën. Krimet kundër njerëzimit nuk kanë afat gjykimi. Të dëshmosh e të pranosh krimet – akt moral e i përgjegjshëm.Me veprimtarinë e tij M.Mema mbron dinjitetin dhe identitetin shqiptar. E vërteta është ndëshkuese, por dhe emancipuese. Politikanët fqinjë duhet të marrin shembullin gjerman, ku katarsisi u arrit përmes pranimit dhe dënimit të krimeve naziste, madje edhe përmes ndjesës  që kanë kërkuar në Varshavë presidentët gjermanë para hebrejve.

Gënjeshtra shekullore e serbëve. Beteja e Fushë Kosovës(1389).Miti i rremë i Serbisë  dhe deformimi i historisë. Mohohet  koalicioni ballkanik e pjesëmarrja e shqiptarëve. Sipas tyre,  beteja ishte tërësisht serbe, në  tokë serbe, të banuar nga serbët.  Më shumë se një betejë, është një mit serb. Serbët, me kishën ortodokse krijuan konceptin e rremë “Kosova- djep i Serbisë”. Më 1832 qeveria serbe urdhëroi ushtrinë të digjte fshatrat shqiptare, që nuk pranonin fenë ortodokse dhe serbishten si gjuhë amtare.Mema sjell të dhëna të vjetra për zonën e Trenit. Dy fshatra me origjinë shqiptare, ardhur  nga  Kelmendi. Pranojnë që gjyshërit i kishin shqiptarë. Flasin dhe shqip. Në zonën e Sanxhakut të Pazarit të Ri mbi 300.000 shqiptarë u larguan në vitet 1877-1878. Nxjerrin fotot e të parëve që vërtetojnë shqiptarësinë, por deklarohen boshnjakë.  Disa pohime, objektive, realiste e të pavarura politikisht: Dimitrije Petroviq në librin “Luftimet në Toplicë në vitet  1877-1878” pohon spastrimin etnik të shqiptarëve nga Serbia e mesme e jugore, me urdhër të shtabit të përgjthshëm të ushtrisë serbe. U shpërngulën me forcë nga Toplica, Leskovci, Nishi, Vranja mbi 300.000 shqiptarë”.Dimitra Tucoviq në librin “Serbia e Shqipëria”denoncon masakrat serbe ndaj shqiptarëve. Kritikon ashpër dhunën shtetërore.  Danillo Kish,  në polemika të guximshme, kundërshtoi nacionalizmin shovinist serb. Ai thotë:”Miqtë e mi nuk e kuptojnë situatën në Kosovë”. U detyrua të emigrojë në Francë. Me kërcënime e fyerje të rënda është përballur dhe Sofija Todoroviq që u shpreh:”Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. Mirosllav Filipoviç  denoncoi krimet e Millosheviçit  në Kosovë në vitet 1998- 1999. Në shkrimin “Rrugëtimi i gjatë për të vërtetën e krimeve” tregon krimet serbe në Kosovë, por edhe shumë akte vandale të forcave serbe, për të fajësuar UçK-në dhe për të ngritur tensionet ndëretnike. Të dy shtetet shqiptare duhet të kërkojnë me ngulm të vërtetën”. Millosheviçi kreu më 1999 operacionin shtazarak antishqiptar  “Patkoi”.  çedomir Petroviq:”Ushtria e policia, nën kontrollin e udhëheqjes shtetërore, dëbuan mbi 850.000 shqiptarë nga Kosova. Kërkoj falje për të gjitha mëkatet e popullit tim kundër popullit shqiptar.Dëshiroj që serbët e shqiptarët të fillojnë të jetojnë një jetë të qetë e të sigurt së bashku. Të shohin  të ardhmen në BE, ku do të takohen Kosova e Shqipëria”.                                                                                                                                                    

Ivan Gjuriç:”Dialogun e brendshëm, si shans për lëvizje, shoqëria serbe nuk ka dashur ta bëjë për dhjetra vite. Duhet ballafaqimi me të kaluarën, të sotmen e të ardhmen e saj. Të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë duhet ta njohin të vërtetën mbi njeri-tjetrin dhe të punojnë së bashku, për të sjellë vlera bashkëpunimi e mirëkuptimi, për të ndryshuar realitetin ekzistues. Shumica e shqiptarëve në Kosovë është diskriminuar sistematikisht. U dëbuan 800.000 njerëz. Duhet të kërkojmë falje për të nderuar viktimat e luftrave dhe krimeve, të cilat nuk janë kryer në emrin tonë, por të politikës. Më shumë se 700 kufoma të shqiptarëve të Kosovës, nga të cilët 75 fëmijë, janë  transportuar  në Batajnicë. Askush nuk është proceduar.  Duhet siguruar paqja”.  Jovan Cvijiq:”Sllavët e jugut, kur erdhën në Ballkan, aty gjetën shqiptarët”.  Dokumentet që kërkuan rusët e serbët në manastirin e Ardenicës. Dosja e frikshme për “shtëpinë e verdhë” u transmetua edhe në tv serb.

A.Stipçeviç në veprën “Ilirët” shkruan:”Gjatë pushtimit romak, ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore dhe të respektojnë traditat e tyre.Kur erdhën sllavët, sllavizuan pothuaj krejt Ballkanin, por jo dhe Shqipërinë”. Stipçeviç ka idenë e historisë  së hapësirës etnike shqiptare. Kadare:”Shqipja –e vetmja gjuhë e Evropës, shkrimi i së cilës u ndalua për disa shekuj rresht. Një martirizim i tillë do ta çonte drejt shenjtërimit”. Të shenjtë e konsideron dhe M.Mema  gjuhën shqipe gjatë fjalës së tij në Manastir. Plauti përdor termin “illyricum”.Ndërsa Shekspiri për shqiptarët përdor  fjalën “illiri”. Enciklopedia serbe  e vitit 1921 e cilësonte Shkupin vendbanim ilir. Shkupi, Kumanova, Prilepi etj.-qendra dardane ilire. Gjatë realizimit të një dokumentari, M.Mema është ndalur nga policia  në Shkup. Ka mjaft reportazhe  M.Mema për qendrat maqedone.  Si u zhdukën shqiptarët në qytetin e Ohrit? Ku u zhdukën 7 pllakat dardane? Pllaka me mbishkrimin “dardanus”, e gjetur nëShkup, të cilën autoritetet maqedone nuk e ekspozojnë. Dy pllakat ilire me mbishkrimet “dardanus” e “albanopolis”. Kumanovë. Arkeologu maqedon:”Dardanët nuk janë ilirë. Janë fis i pavarur”.Pllakat e mijëra objekte të tjera i mbajnë të mbyllura, nën masa të rrepta sigurie, por në kushte të këqia. Drejtoresha:” Këtu nuk ka objekte ilire. Ka që lidhen me periudhën romake”. Bitola- Manastiri. Rrënjët e tij në antikitet. Heraklia Lynkeste u themelua në sh.IV p.e.s. Lynkestët –fis ilir. Gjurmët janë të fshehura, por  jo të zhdukura. Henri Braisford:”Në Maqedoni vetëm shqiptarët  janë  popull autokton”.Gazetari vëren se as politika, as akademitë  shqiptare nuk tregojnë përgjegjësi e obligim moral, për të dëshmuar e mbrojtur botërisht të vërtetën mbi origjinën ilire kundrejt teorive e praktikave shoviniste, që shkelin të drejtat e liritë themelore për gjuhën e  shkollat shqipe , duke mohuar autoktoninë e origjinën ilire,traditat kombëtare të shqiptarëve.

                M.Mema ka hasur pengesa në Prilep e Rekë të Sipërme. Në zonën e Rekës ruhet shqipja, por thonë se janë maqedonas.  Muzeu i Kosovës është ngritur më 1951. Edhe objekte të Kosovës  i kanë dërguar  në Shkup.Projekt për të deformuar historinë.Dardania e kish qendrën në Shkup, ku duhet një muze i vërtetë e i plotë për dardanët. Arkeologët maqedonas e mohojnë ekzistencën e elementit ilir. Nuk lejojnë filmime. Përpjekje për të romanizuar gjithçka. Gërmimet arkeologjike kryhen pa praninë e arkeologëve shqiptarë. Prilepi, ku dikur jetonte fisi ilir i pajonëve- treva më e studjuar për trashëgiminë ilire. Fati tragjik i shqiptarëve të Prilepit, ku shfaqet nacionalizmi më ekstrem.Mema ka realizuar dokumentarë edhe në Sarajevë, Ulqin, Plavë, Guci e në Dibër të Madhe. Në Mal të Zi në fshatin “Besnik”  nuk flitet shqip.

Mema ka sjellë të dhëna të reja për mjaft personalitete historike,që kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë jetën për Shqipërinë, por edhe për trojet etnike.Beteja kundër Hajredin Pashës më 1844. Historia  e panjohur e Isa Boletinit, Dedë Gjo Lulit, Petro Nini Luarasit, Elez Isufit.  R.Qafoku:” Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli u vranë nga malazezët me  17.7.1915”. Në zonën e Shkodrës  një memorial kushtuar ushtarëve malazezë, të vrarë në luftë kundër shqiptarëve?! M.Mema  në Tetovë:”Në trojet shqiptare, të lyera me gjak, është luftuar për të njejtin flamur, për gjuhën dhe historinë e përbashkët”. Ai preokupohet mjaft  edhe për situatën e sotme në Shqipëri, ku 1,7 milion shqiptarë janë larguar këto vite. 79 përqind e të rinjve duan të largohen për të mos u kthyer më. S’ka vend as për rininë, as për meritokracinë. Prijësit qeverisës nuk janë dhe prijës intelektualë. Përderisa politika do të zotërojë mbi kulturën, populli do të njohë veç probleme, të cilat vetë politikanët i krijojnë dhe më pas luftojnë e shahen për t’i zgjidhur. Kurse mbajtësit e kandarit të drejtësisë, që duhet të mbajnë ekuilibrin e shoqërisë, shohin se nga anon kandari i politikës.  Një ikje shqetësuese, e rrezikshme, ose  një projekt për të zhdukur Shqipërinë – vëren gazetari. Po të lexosh  kryeartikujt  e ditëve, muajve dhe viteve, vetëm  të gazetën “Telegraf”,  krijon një ide të saktë për nivelin e korrupsionit shqiptar, që po gërryen të gjithë sektorët  e administrimit shtetëror. Thuhet se po lulëzon turizmi. Mema mendon se Shqipërisë natyra i ka falur gjithçka nga pasuritë mbi e nëntokësore, më tepër edhe se Zvicra. Mema:”Shqipërinë tjetër” do të doja ta shikoja ndryshe, vërtet evropiane”. S.Frashëri më 1899  ëndërronte që Shqipëria të bëhej si Zvicra, ku sot treni turistik ngjitet deri në Alpe, ndërsa ne ende nuk kemi hekurudhë normale as në fushë.Tirana, kryeqyteti  i vetëm në Evropë, që nuk ka as hekurudhë, as tramvaj, as metro për turistët.  Në fshatra s’ka as rrugë normale për në qendrat arkeologjike. Ketu nuk përfillet as opinioni qytetar, as opinioni i specialistëve më të aftë  për investime të rëndësishme. Vlerësohen militantët, jo meritokracia.

Kalivaçi(Memaliaj), qytet i vjetër, ku nuk janë bërë gërmime. Projekti i 100 fshatrave “turistikë” ka mbetur në letër. Fshatra me potenciale bujqësore, blegtorale, por dhe turistike, që nuk shfrytëzohen.Fshati  Vilëz  i  Zall Bastarit. Shtyllasi i vjetër, ku jetohet ende si në internim. Fshati Lubonja, pranë Korçës, më i bukur se Zvicra, dikur zonë minerare(bakri), sot i braktisur.  Fshati Malëshovë, pranë Këlcyrës, edhe ai duhej të ishte turistik.Mungojnë investime në rrugë, ujësjellësa etj. Belishova e Mallakastrës-ndërtesa të braktisura, heshtje, boshatisje.  Edhe e bukur, edhe e shëmtuar kjo, Nëna  Shqipëri! Realitet i frikshëm.  Shkolla është e rrënuar, por ka një njoftim se si duhet votuar dhe një listë votuesish?! Rruga e vdekjes mes maleve shqiptare. Majat e larta. Lumi Kir.  Natyra, legjendat e bëjnë mjaft  tërheqës  Dukagjinin. Rruga e Prekalit me shumë aksidente e lapidarë. Lugina e Shoshit dhe Shalës, një mrekulli tjetër e natyrës. Toka punohet me parmendë. Fshatra të braktisur edhe nga ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë.  Edhe inisiativat e  bukura sporadike dështojnë, sepse  nuk  stimulohet prodhimi vendës. Një qendër, të paktën 2.500- vjeçare pranë Petrelës.Një vendbanim mëse  5.500  vjeçar i periudhës së neolitit në Kamik, pranë Ersekës, ku janë gjetur objekte të mrekullueshme. Lini(Pogradec)-vendbanimi më i vjetër në Evropë. Një superzbulim i shek.III p.e.s,në fshatin Mihaia(Bërzhitë), ku nuk janë bërë gërmime arkeologjike.Kultura e Komanit –hallka  lidhëse  iliro-arbërore. Në Gegaj të Shllakut janë gjetur objekte arkeologjike dhe varre. Zbulimi në Alpet, në Çerem.  Drishti, ku u zbulua emri “shqiptar” në formën “shaputar”.Bylisi-kryeqendra e fisit ilir të bylinëve.

Prova të shumta  për kulturën ilire edhe në zbulimet në vendbanimin e Maliqit , si dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, Vajzës, Matit etj. Mesazhet e lashta të ilirëve në  fshatin Vuksan Lekaj. Borshi me një histori të lashtë, por me hulumtime jo shteruese.. Qyteti ilir i Margëllëçit. Qyteti Omfalion ose Melan. Kalaja e Leklit afër Tepelenës. Dimali. Arnisa –qytet i panjohur. Nëse disa miliarda, nga ato të koncesionarëve do të kishin shkuar për  zbulimin më të plotë të monumenteve arkeologjike, me ndihmën e arkeologëve të huaj ;  si dhe për   ekspozimin më të denjë të tyre, atëhere do të kishim një turizëm elitar e kulturor intensiv dhe jo thjesht  turistë  për ushqimin më të lirë, që për shqiptarët s’është i tillë.     Ndërsa Shpiragu, një ëndërr  me sy hapur,  thuhet se do t’ua ndryshojë jetën pensionistëve dhe do të ulë çmimin  e karburanteve, që i kemi më shtrenjt se në SHBA. Nuk mund të jesh i drejtë, nëse nuk je njerëzor. Gama e problematikës  që  trajton gazetari është mjaft e gjerë.Te Marini koncepti i patriotizmit nuk ndahet nga koncepti i humanizmit , respektit e ndihmës  për njerëzit e thjeshtë, përmes shoqatave bamirëse.

                Edhe e pasur, edhe e varfër, kjo Nëna jonë Shqipëri!  Kurbneshi, qyteti i varfër që fle mbi flori. Misteri i arit shqiptar. Uzina e famshme e Rubikut, ku që në lashtësi fisi ilir i pirustëve  nxirrte e përpunonte bakrin.   Qytete si Krasta e dikurshme e pasurimit të kromit dhe  Bulqiza, Selenica, apo Ballshi, nga mungesa e investimeve  dhe e sigurisë në punë , janë katandisur në gjendje të mjeruar.Shifrat dhe gjendja e përshkruar janë tronditëse. Porti fantazëm në Karpen të Kavajës. Një kompani angleze solli një ofertë të pakërkuar, me një investim 5 miliard dollarë, që do të krijonte 70.000 vende pune?!

                Fshatra të afërt e të largët, me mrekulli natyrore, që , po t’i transferonim në Zvicër, do të ishin krejt ndryshe, por këtu janë të harruar, të braktisur e të boshatisur,sepse janë  jashtë vemendjes së qeverisë.  Arma më e mirë në demokraci  është  transparenca, shpirti i demokracisë është idealizmi. Këto dy tipare i ndeshim në reportazhet dhe dokumentarët e M.Memës. Kurse sëmundje  të  demokracisë janë: indiferenca dhe pasiviteti ndaj propagandës e  korrupsionit .Për të kryer një veprimtari shoqërore, nevojitet njeri nga këta 3 faktorë: parimi, interesi e pasioni. Lexuesi le ta gjykojë nëse në veprimtarinë e M.Memës përfshihen: interesi kombëtar, parimi i drejtësisë dhe të vërtetës; si dhe pasioni qytetar e përkushtimi, në përpjekje me padrejtësinë.