“Projekt i babëzisë” e konsideroi kreu i PD Durrës Igli Cara projektin e Marinës Turistike. Duke u ndalur tek mungesa e plotë e transparencës për këtë investim nga ana e qeverisë, Cara tha se Rama po nxiton të shpallë armik çdo kënd që shprehet ndryshe.
“Pra armiq janë edhe perfaqesuesit e BE-së, sepse ky projekt është në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim asociimit. Po kështu edhe përfaqësuesit e NATO-s, të cilët janë shprehur kundër. Pa lënë mënjanë specialistët më në zë të fushës, të cilët gjithashtu janë shprehur kundër. Për fat të keq, atë që nuk na e bënë as pushtuesit, Durrësit e shqiptarëve po ja bën Rama”,- tha Cara.
Në konferencën për shtyp nga selia lokale, Cara deklaroi se “opozita do të përdorë çdo rrugë demokratike e ligjore për ta ndaluar marrëzinë e babëzisë” duke mos përjashtuar protestat.
“Protestat patjetër që do të jenë pjesë, në qoftë se nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Po theksoj edhe diçka, kjo nuk është vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen”,– tha ai.
I pyetur nga “DurrësLajm” nëse kali i betejës së tij në fushatën e tij për zgjedhjet lokale do të jetë projekti i Marinës, Cara tha se ai do jetë mes shumë të tjerëve, ndërsa theksoi se do kërkohet transparencë dhe për projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano.
“Do të jetë apo jo pjesë e fushatës projekti i Marinës? Pa diskutim që po, por Durrësi ka edhe shumë probleme të tjera jetësore për qytetarët e tij, që do t’i trajtojmë në vijim. Patjetër që do të kërkohet transparencë për projektin e portit të ri në Porto Romano dhe një pyetje që duhet ta ngremë të gjithë është: Kush do ta investojë? Thonë që do të jetë një port që do të kushtojë 1 miliard euro. Më falni, kush do të investojë? Mirë që falim, por edhe portin e ri shqiptarët do ta financojnë”,- tha Cara ndër të tjera.
Kandidati Igli Cara është përfshirë në garën e primareve në Durrës, ndërsa pritet të jetë ai rivali kryesor i kryebashkiakes Emiriana Sako në zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm.
M.B.