TIRANE, 21 shkurt 2013– Do kalbemi në burgjet e Jemenit nëse autoritetet shqiptare nuk na ndihmojnë”. Këto janë fjalët që pohon për “Gazetën Shqiptare”, kapiteni i anijes që u sekuestrua pak kohë më parë në ujërat e Jemenit, Arif Bakillari. Ai pohon se ndaj tyre rëndojnë akuza të paqena, ndërkohë që ai dhe dy shqiptarët e tjerë janë të pafajshëm. “Arsyeja se pse na kanë arrestuar është sepse Jemeni donte të merrte ngarkesën e anijes sonë. Ne jemi të pafajshëm”. Veç të tjerash, Bakillari rrëfen edhe të gjithë itinerarin që ka përshkuar anija që ai drejtonte, duke shtuar se gjatë gjithë kohës kanë qenë të monitoruar nga forcat e NATO-s. 
 

Sa vjet ju kanë dënuar? 

Na kanë dënuar me nga 6 vjet burg të treve, me akuza të paqena. Është një çështje politike. Unë vetë jam në spital. E kemi apeluar vendimin për arsye se të gjitha akuzat që ngrenë këta janë të pabaza. Këta ngrenë akuzën që, kemi hyrë pa leje në Jemen, me ngarkesë të rrezikshme, duke rrezikuar portin Mukalla të Jemenit. Akuza tjetër është se ngarkesa është ilegale, ndërsa na akuzojnë edhe se të gjitha dokumentet që paraqitëm para gjykatës, sipas këtyre janë false. 
 

Pse mendoni se ju kanë arrestuar? 

Këta kanë interesat e veta se duan të marrin ngarkesën, se shteti Jemen e ka të ndaluar që të marrë armë, sepse ka sanksione nga Kombet e Bashkuara dhe nuk kanë të drejtë që të marrin armatime. Anija është shumë e rregullt, kompani e rregullt, e kontrolluar në të gjithë portet. Ne kemi kaluar në 8 porte; kjo kompani ka marrëveshje me Serbinë dhe NATO-n për të ngarkuar armatime luftarake. Ngarkesa është bërë në portin e Tivarit. Ne e kemi marrë anijen më 15 korrik dhe udhëtimi i parë ka qenë drejt Greqisë. Më pas kam shkuar në portin Berinçe në Turqi, kam shkarkuar material atje dhe pastaj në Aleksandri të Egjiptit. Më pas, përmes Kanalit të Suezit pastaj kam kaluar në një tjetër port të Jemenit, jo në Mukalla ku na ndaluan, por në një port tjetër, dhe pastaj kam shkuar në Kenia, ku kam shkarkuar materiale luftarake dhe për shkak të një defekti m’u desh të ndaloja në portin e Mukallës. Gjatë gjithë udhëtimit ne jemi shoqëruar nga forcat e NATO-s. Ne nuk kemi lidhje me trafikun e armës. Anija është e shoqëruar nga anijet e NATO-s, ajo nuk shoqëron trafikantë. Çdo ditë, në orën 12:00, unë jepja koordinatat e anijes sime për NATO-n, tre herë anija ime është kontrolluar nga NATO. 
 

Kur ndodhi arrestimi juaj? 

Ka qenë mëngjesi i 18 dhjetorit, kur anija jonë “EOS” u ankorua në portin e Mukallës në Jemen. Arsyeja se pse ne ndaluam, ishte defekti në një nga motorët e anijes. Ndaluam për t’u furnizuar me ushqime, sepse ngarkesa ishte për në Irak. Ne kishim njoftuar për ndalesën tonë në Jemen dhe në mesnatë na kanë rrethuar forcat ushtarake, që kanë kërkuar të kontrollojnë anijen dhe, në momentin e kontrollit, një prej oficerëve është shprehur se “i pëlqente ngarkesa”. Më pas na kanë shoqëruar në rajonin e policisë, ku na kanë marrë në pyetje.
 

Keni komunikuar me autoritetet shqiptare në Jemen? 

Po, kemi komunikuar me ambasadorin dhe konsullin e nderit. Na kanë thënë që po bëjnë të pamundurën për çështjen tonë. Ne kërkojmë që të bëhet diçka për ne, sepse jemi të pafajshëm dhe nuk duam të kalbemi në burgun e Jemenit. Këtu është si të jesh në diktaturë, kontrollohet gjithçka.