Një rikthim i shumëpritur, si ai i një çifti të dashuruarish, që mezi presin të takohen pas një kohe të gjatë larg njëri-tjetrit. Kështu e konsideron aktorja Mimoza Marjanaku rikthimin në teatër pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19. E bërë gati për të interpretuar rolin e prokurores tek “Revizori”, Marjanaku mezi pret të ngjitet në skenë.
Aktorja Marjanaku ndihet e entuziasmuar për faktin se publiku në sallë në këto dy netë ka qenë i ri dhe ky është një ogur i mirë për artistët.
Rikthimi i shfaqjes “Revizori” në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” vjen pas triumfit në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove në Dibër të Madhe. Shfaqja u vu për herë të parë në skenë rreth 2 vite më parë, ndërsa tashmë erdhi për dy ditë me radhë para artdashësve durrsakë.
“Revizori” është një komedi satirike nga Nikolai Gogol e shkruar në vitin 1836, e cila konsiderohet si një nga kryeveprat e tij. E veshur me ironi e tone groteske, Gogoli në këtë komedi stigmatizon një klasë të korruptuar që drejton një qytet të vogël, një klasë ku injoranca, babëzia e ryshfeti mbizotërojnë. Kur dikush nga lart vjen për të inspektuar, të gjithë e humbin toruan dhe janë të gatshëm për çdo gjë që të mos humbin pushtetin.