Markata e fruta perimeve në Durrës i përngjan një sere, në këto ditë përvëluese korriku. Tregtarët që ushtrojnë aktivitetin në të ankohen për kushtet, pasi mungesa e sistemit të ventilimit ua vështirëson së tepërmi qëndrimin në godinën 1 katëshe.
E nuk mungojnë rastet kur bluzat e djersitura thahen në diell, apo kur tregtarët mundohen të freskohen disi me mjete rrethanore!
“Po na bie të fikët! Rrimë deri në orën 13.00 dhe ikim, se këtu vdes”,– thotë një tregtare për “DurrësLajm”.
“Asnjë kusht nuk kemi. Marrim 3-4 bluza me vete për t’u ndërruar. Gjithë verës kemi vapë, gjithë dimrit ftohtë”,– shton një tjetër tregtar.
Ndërsa një tregtare që mundohet të freskohet duke tundur një copë karton në dorë thotë se markata është kthyer në një “serë”: “Kushtet nuk i kemi, ujë herë kemi, herë nuk kemi”.
Markata e vetme publike e qytetit u rikonstruktua 2 vite më parë, me një investim rreth 60 milionë lekë të reja me TVSH, por ajo shfaqi problemet e para infrastrukturore që në momentin që hapi dyert për tregtarët. Për shkak të temperaturave mjaft të larta, që shpesh i kalojnë 40 gradë Celcius, tregtarët pësojnë një dëm të konsiderueshëm financiar.
“Unë kam marrë 100 mijë lekë mall. Shes vetëm 50 mijë lekë ditën e parë, pjesa tjetër mund të mos shitet. 30-40 mijë lekë mall përfundon në plehra“,- tregon i dëshpëruar njëri nga tregtarët.
“I marrim në mëngjes të freskëta, vjen ora 13.00-14.00 prishen”,- shton një tjetër.
Tregtarët thonë se shqetësimet e tyre i kanë ngritur shpesh në institucionin e qeverisjes vendore, por askush nuk u ka ofruar zgjidhje konkrete.
“Të hiqen ato xhamat se ne jemi në serë. Më përpara italiani e bëri me kangjella, nuk e bëri me xham. Këta e bënë me xham e na kanë futur në serë”.
“Të marrin masa, të vënë freskuese apo sistem ventilimi”,- thonë disa nga tregtarët.
Në tregun e fruta perimeve të Durrësit ushtrojnë aktivitetin më shumë se 200 tregtarë.
M.B.