Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Andrea Xhavara në një intervistë për “Dyrrah”, thekson se mungesa e investimeve e promocionit dhe marketingut, sjell këto probleme për njësitë turistike dhe vë jo pak në pikëpyetje, konkurueshmërinë me vendet e rajonit. Njëkohësisht ai tregon problematikën duke vënë theksin te investimet e domosdoshme, si nga pushteti qendror, ashtu edhe ai vendor.

Zoti Xhavara, shpeshherë, ju kemi parë dhe dëgjuar mjaft kritik, ndaj investimeve që kryhen në zonën e plazhit. Cili është shqetësimi primar që ngre biznesi turistik në prag të hapjes së sezonit veror?

Ne jemi shprehur dhe vazhdojmë të kërkojmë investime që të jenë në plazhin e Durrësit si destinacion masiv. Ne i qëndrojmë kërkesave tona, siç janë investimet në infrastrukturë, nevojën për investime në drejtim të rrjetit të energjisë elektrike, të sistemit të kanalizimeve, të ujit të pijshëm etj. Gjendja ka ndryshuar disi, në drejtim të pastërtisë nga ana e bashkisë, dhe në drejtim të investimeve në kanalizime nga ana e qeverisë, për ndërtimin e depuratorit të ujërave të zeza. Pas kaq vitesh do të dalin jashtë funksioni gropat septike. Ne shpresojmë që këtë verë i gjithë bregdeti nga Kavaja deri në Durrës të mos ndotet më. Megjithatë nga zona e Plepave deri në Golem, ka nevojë për një ujësjellës për ujin e pijshëm, sepse ata vazhdojnë të furnizohen me bote. Ka nevojë për furnizim më të mirë me energji elektrike. Këto investime i takojnë qeverisë. Investimet duhet të kthehen në kuadrat, për të gjithë zonën e plazhit. Por edhe në përmirësimin e paketës turistike duhet bashkëpunim i të gjitha njësive të biznesit, duke shmangur konkurrencën për interesa për të përbashkëta.

Çfarë po bëhet nga ana e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për standardizimin e shërbimeve, kur edhe Durrësi është në projektin e vendeve që lagen nga Adriatiku dhe Joni?

Kemi diskutuar gjatë për paketat turistike ku edhe Durrësi është futur në këto paketa të përbashkëta, të vendeve bregdetare që lagen nga detet, dhe tashmë po merremi me standardizimin e ushqimit, ofertës së restoranteve që promovojnë një shërbim më të mirë për një reklamë më të mirë turistike. Në këtë forum promovimi i paketave turistike bëhet falas, jo vetëm për Durrësin por për të gjithë vendin dhe pjesëmarrja është e ulët. Marketingu nënvlerësohet në maksimum nga shumë biznese shqiptare akoma.

Në fakt këtë vit pushteti lokal nuk ka asnjë fond të veçantë për promovimin e turizmit,vendas jashtë kufijve. Sa e dëmton kjo mënyrë duke i lënë rastësisë, mbërritjen e pushuesve?

Në fakt ka agjenci që e bëjnë promovimin, siç është Agjencia Kombëtare e turizmit, jashtë vendit, ku përfshihet edhe Durrësi. Ne shikojmë që vëmendja është përqendruar tek pjesa jugore e vendit. Nëse do të bëheshin llogaritë që në një ditë të pikut të plazhit do të vinin 150 mijë veta, atëherë duhet të kuptohet që ky qytet mbetet një destinacion i madh turistik, dhe një burim i madh të ardhurash të turizmit shqiptar, dhe prandaj ne kërkojmë të bëhen përpjekje të tjera. Ka shtete në veri të Europës, që e konsiderojnë verë, Pranverën dhe Verën Shqiptare, këta turistë mund të vinin, por nuk ka promovim nga grupet e njësive turistike në bashkëpunim me agjencitë turistike. Këta duhet të bëhen të njohur, por ky bashkëpunim nuk funksionin. Vetëm 10% e turistëve që vijnë në Durrës kalojnë nga agjencitë turistike, dhe të tjerët vijnë në mënyrë spontane. Pak hotele ka që punojnë në mënyrë profesioniste.

Sa të domosdoshme janë zyrat e informacionit? Në Durrës grupe turistësh që vijnë shumë pak dinë për pikat turistike që ka qarku ynë, për të mos thënë që nuk dinë aspak.

Zyrat e informacionit duhet të jenë në pikat kyçe, në port Aeroport, dhe në të gjitha zonat me dendësi pushuesish të frekuentuara. Duhet të ketë zyra të posaçme për promovimin e paketës turistike gjatë gjithë vitit, për të lajmëruar jo vetëm maqedonasit, kosovarët, por edhe europianët, gjatë gjithë vitit. Zyrat hapen vetëm kur kujtohen se kur po vijnë pushuesit. Mungon puna e organizuar profesioniste e promovimit.

Çfarë ndikimesh pritet të ketë në fushën e turizmit kriza ekonomike që ka goditur vendet e rajonit? Sa ndihet në vendin tonë?

Efektet pranohen nga të gjithë specialistët, sepse ne në Greqi dhe në Itali, dy shtetet fqinjë të BE, kemi 1.5 milionë shqiptarë emigrantë, të cilët sjellin reminitancat. Në anën tjetër biznesi i vogël na njofton se ka një rënie të konsumit me 20 deri në 30% nga vitit i kaluar. Kjo do të thotë se konsumatori ndjen një lloj shqetësimi . Kjo situatë do të kalojë pasi të çlirohet nga kriza edhe Europa. Të dhënat thonë se Shqipëria ka një rritje nga 1.5 deri në 3% e GDP, prodhimit të përgjithshëm bruto. Duhet të pranohet, se cili sektor i ekonomisë ka rritje dhe cili ka ulje. Duhet të merren masa që ekonomia të jetë e stabilizuar.

 

Ramazan Kalia

 

Ujërat e zeza, inspektorët në terren

 

Zoti Kalia, ka një problematikë që mbartet vit pas viti, nga Ura e Dajlanit deri tek Shkëmbi i Kavajës përsa i përket derdhjes së ujërave të zeza në det. Si do të jetë situata këtë vit?

Shpresojmë që këtë vit mobilizimi i pushtetit lokal, bashkisë së Durrësit dhe komunës së Rrashbullit që përfshin zonën e Shkëmbit të Kavajës, të jetë funksional në shërbim të pushuesve. Ka investime të reja nga pushteti lokal dhe ai qendror, dhe ka një predispozicion nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve, duke u treguar e gatshme për eliminimin e ujërave të zeza atje ku ato janë evidentuar. Megjithatë ka tendenca ka persona të ndryshëm për të shmangur shpenzimet që duhet të kryejë, dhe derdhin ujërat e zeza në det. Nga ana jonë është fotografuar e gjithë situata në terren dhe po ndiqet me inspektorë në terren si për zonën e Gjirit të Durrësit ashtu edhe për Shkëmbin e Kavajës.

Si qëndron problematika e derdhjes së ujërave të zeza në det, a do të shmanget ndotja këtë vit? Do të vihet në funksion depuratori i ujërave të zeza?

Është një investim i madh që po bëhet në kufirin që ndan brezin e rërës, në një thellësi më shumë se katër metra, çka do të thotë se nuk ka asnjë tub uji që do të mund të derdhë ujërat e zeza në det. Ne po mbajmë nën kontroll situatën, që të mos kemi asnjë tub tjetër të palidhur pas këtij momenti që po kryhet investimi për kolektorin kryesor.