Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se në udhëheqjen e Iranit janë shfaqur “çarje”, duke lënë të kuptohet për zhvillime të brendshme që mund të ndikojnë  në drejtimin e vendit.

I pyetur lidhur me një postim të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët gjatë së hënës kishte shkruar se SHBA-të po negociojnë me një “regjim të ri dhe më të arsyeshëm”, Rubio shmangu të japë detaje konkrete për personat me të cilët Uashingtoni është në kontakt.

“Nuk do t’ju zbuloj se kush janë këta njerëz, sepse kjo mund t’i vendoste në vështirësi me grupe të tjera brenda Iranit”, u shpreh ai.

Megjithatë, kreu i diplomacisë amerikane theksoi se ekzistojnë përçarje të brendshme: “Ka disa çarje të brendshme. Në fund të ditës, nëse ka njerëz në Iran që, bazuar në zhvillimet e fundit, janë të gatshëm të lëvizin në një drejtim tjetër për vendin e tyre, kjo do të ishte diçka pozitive”.

Rubio nuk dha më shumë detaje mbi këto zhvillime, por shtoi se personat që janë në negociata me SHBA-të “po thonë disa nga gjërat e duhura në biseda private”.

“Natyrisht, ata nuk do t’i bëjnë publike këto në deklarata për shtyp. Ajo që thonë publikisht nuk pasqyron domosdoshmërisht atë që diskutojnë në bisedat tona. Në fund, mbetet për t’u parë nëse këta njerëz do të kenë fuqinë për të sjellë rezultate. Ne do ta provojmë dhe shpresojmë që të ndodhë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Rubio deklaroi se objektivat e operacionit ushtarak në Iran pritet të arrihen “brenda pak javësh”. Sipas tij, shkatërrimi i forcave ajrore dhe detare iraniane është “në masë të madhe i përmbushur”, ndërsa administrata amerikane është “në rrugë të mbarë” për të neutralizuar kapacitetet e Iranit për prodhimin e raketave.