Albion Marku ishte protagonisti i fitores së Teutës ndaj Tiranës, pasi goli i tij u dha suksesin e dytë radhazi durrsakëve, të parin në shtëpi për këtë edicion. Një fitore që ka larguar skuadrën nga vendi i fundit në renditje, ku gjendej prej disa javësh. Marku foli për sfidën e ardhshme me Vllazninë dhe pritshmëritë e këtij sezoni nga Teuta.Ish-mbrojtësi i Partizanit pranon momentin e mirë që po kalon ekipi dhe beson që ndaj Vllaznisë, Teuta do të jetë e fokusuar maksimalisht dhe do të arrijë të marrë maksimumin.

Marku, sa vlen ky sukses ndaj kampionëve në fuqi?

Vlen tri pikë dhe një hap përpara. Ekipi beri atë që duhej për të fituar ndeshjen, por ky sukses na jep besim për sfidat e radhës. Edhe pse me rezultat minimal, ishte një trepikësh me shumë vlera, mjaftueshëm për t’iu larguar fundit të tabelës së klasifikimit. U pa një Teutë me dëshirë për të fituar me qarkullim të topit në të gjithë sektorët e fushës.

Po vështirësitë e shpeshta në sulm, si i shpjegoni?

Nuk kam parë një sulm në vështirësi, na duhej të vertikalizonim më shumë, por ekipi u shfaq i organizuar mirë. Mund të them se vazhdimësia ka qenë pika jonë e fortë, por edhe kemi shpërdoruar shumë. Ajo që ka rëndësi është fitorja dhe ne e arritëm me dëshirën e duhur. Tani le të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë.

Deri ku mund të shkojë skuadra në këtë sezon?

Jemi në fazën më interesante të kampionatit, na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj se nëse vijomë kështu, me këmbë në tokë dhe të punojmë fort në stërvitje do të bëjmë mirë, të enjten na pret një ndeshje e vështirë me Vllazninë dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses.

Si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Vllazninë?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Harmonia dhe çdo gjë është në rregull, tani shpresojmë që t’ia dalim me sukses në ndeshjen me Vllazninë dhe të bëjmë një tjetër hap të rëndësishëm.

Sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?

Padyshim që Vllaznia kërkon përqendrim maksimal, pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi, kundër shkodranëve ditën e enjte do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e të marrim një rezultat pozitiv.

Me këtë fitore, përveçse i keni bërë nder Teutës, i keni bërë edhe Partizanit para derbit…

Ky fakt nuk përbën sens për mua, pasi unë jam pjesë e Teutës. Ne bëjmë më të mirën për këtë skuadër dhe nuk merrem me skuadrat e tjera. Nder i bëra ekipit ku unë luaj, Teutës.