Ekipet e shpëtimit janë në luftë me kohën për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat në Marok, pas tërmetit shkatërrimtar, por shpresat po shuhen gjithnjë e më shumë me kalimin e orëve.

Bilanci i viktimave është rritur frikshëm, duke u regjistruar të paktën 2000 të vdekur, ndërsa më shumë se 1400 kanë marrë lëndime të rënda. Kryesisht pasojat më të rënda janë në provincat në jug të Marakeshit, ku tashmë kanë mbetur vetëm rrënojat.

Mbreti Mohammed VI shpalli tri ditë zie kombëtare dhe urdhëroi strehim, ushqim dhe ndihmë për të mbijetuarit, të cilët e kaluan natën jashtë.

Kjo e diel shënon ditën e dytë të kërkimeve nën rrënoja, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se numri i viktimave pritet të rritet. Tërmeti me magnitudë 6.8 i së premtes, me epiqendër në Malet e Atlasit të Lartë, ka dëmtuar rëndë qytetin e Marakeshit, vendin e mbrojtur nga UNESCO. Fshatra të tërë janë rrafshuar totalisht, ndërsa shqetësuese mbetet ndihma në zonat provinciale, aty ku nuk dihet ende një shifër paraprake viktimash.

Mbreti i vendit urdhëroi administratën dhe ushtrinë të dhurojë gjak, ndërsa u bëri thirrje banorëve të ndihmojnë spitalet të sigurojnë gjak për të plagosur. Lëkundjet e tokës më të rëndat që kanë prekur vendin në  një shekull hodhën në tokë infrastrukturën vendase, me dëm ende të pallogaritshme. Më shumë se 300 mijë marokenë janë prekur nga këto shkatërrime, pasi shtëpitë e tyre janë kthyer në gërmadha.