Ministri i Punëve të Jashtme i Marokut, Nasser Bourita, deklaroi se nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Bourita në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Beograd u takua me homologun serb, Ivica Daçiç.
Ministri maroken në një konferencë të përbashkët për media pas takimit tha se Maroku dhe Serbia kanë një potencial të madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Sipas tij bujqësia dhe industria e automobilave janë fusha të rëndësishme për fuqizimin e marrëdhënieve.
Duke u shprehur se janë në një periudhë ku janë rritur marrëdhëniet dypalëshe, Bourita tha se “Nuk do të ndryshojë qëndrimi i Marokut për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Duke i vlerësuar marrëdhëniet e mira me Serbinë si “muaj i mjaltit”, Bourita deklaroi se “Do të realizojmë projekte që fuqizojnë bashkëpunimin tonë në fushat si kultura, zhvillimi dhe sporti”.
Edhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Daçiç, tha se javën e ardhshme do të organizojnë një forum të punës me Marokun, ku shtoi se me këtë forum do të riaktivizohet komisioni ekonomik shumë kombëtar.
Bourita në kuadër të vizitës së tij në Beograd u prit edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kurse me ministrin e Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiç, nënshkroi protokoll bashkëpunimi në fushën e sportit./AA