Marc Marquez është shpallur sot kampion bote në Moto GP për sezonin 2018-2019, titulli i shtatë kampion në karrierën e pilotit spanjoll të Honda, i pesti në kategorinë më të lartë të motoçiklizmit (ka edhe një titull në Moto 2 e një në Moto 3). Spanjolli bëri një garë fantastike në pistën e Motegi, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Japonisë, të cilën e nisi nga vendi i gjashtë dhe e mbylli si triumfues. Ai përfitoi edhe nga dalja jashtë piste xhiron e parafundit të rivalit të tij kryesor Andrea Dovizioso, për të festuar matematikisht titullin, plotësisht i merituar.
Edhe pse e nisi garën nga vendi i gjashtë, spanjollit të Honda-s i mjafton një xhiro për t’u ngjitur në vendin e dytë dhe për të nisur një duel me Dovizioso (Ducati), ashtu siç ka ndodhur pothuajse përgjatë gjithë këtij sezoni. Dy pilotët dhurojnë spektakël në pistë, por italiani nuk duron dot presionin dhe del nga pista xhiron e parafundit, duke nisur kështu festën e spanjollit, që shpallet kampion edhe pse ka ende 3 gara nga fundi.
Për Marquez ky është suksesi i tetë sezonal, ndaj dhe triumfi është tërësisht i merituar dhe torta që Honda kishte përgatitur për të festuar që në Motegi, në pistën e saj, nuk shkoi dëm. Në vendin e dytë sot u rendit britaniku Cal Crutchlow dhe pas tij Alex Rins.
Vetëm i katërti Valentino Rossi me Yamaha, 6 sekonda pas fituesit, një garë në dritë-hije për italianin, që e nisi atë nga vendi i nëntë. Por festa është e gjitha për Marc Marquez, që mbylli të gjitha llogaritë dhe tani feston një tjetër triumf. Rekordet e Rosit janë vënë në shënjestër…