Milani nuk e njeh fitoren prej dy javësh në Serinë A dhe tashmë pozicionohet në vendin e 8-të. Pas humbjes kundër Bolonjës, trajneri i kuqezinjve, Serxho Konseisao dha një prononcim për mediat. “Pati një prekje të topit me dorë në golin e parë të Bologna-s. Këto janë episode negative që vendosin rezultatin. Këto episode vendosin ndeshjen. Më vjen keq që flas për arbitrin, nuk është i vetmi fajtor, kemi bërë edhe ne gabime, por këto episode ndodhin gjithmonë. Këto episode janë pozitive për të tjerët dhe negative për ne. Ka kriter të padrejtë, ndonjëherë fishkëllehet shumë dhe ndonjëherë fare. Por kjo është puna, gjyqtarët bëjnë gabime, si ne trajnerët.

Nuk është fare e lehtë kjo situatë për një ekip që ka nevojë për rezultate dhe paqe. Çdo ditë njerëzit flasin për situatën time dhe nuk është e drejtë. Unë e di se çfarë dua, e di se çfarë mund të bëj, shoh shumë njerëz që flasin për mua, por situata është e thjeshtë: nëse më duhet të largohem, më thonë “nuk je më i nevojshëm”, marr valixhen time dhe largohem pa kërkuar asnjë euro më shumë. Trajnerët që më kritikojnë në ditën e ndeshjes, kam një familje pranë meje dhe ata shohin shumë gjëra të këqija për mua dhe nuk është e drejtë”, tha shkurtimisht portugezi.