Bashkimi Evropian njoftoi se Kosova është pajtuar që të zvogëlojë praninë e forcave policore në objektet komunale në veri dhe rreth tyre, si dhe të kryejë vlerësime të rregullta të sigurisë, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Në një përgjigje për mediat kosovare, BE-ja tha se në bazë të vlerësimeve, do të shqyrtohet edhe mundësia për uljen e mëtejme të kësaj pranie policore, “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”

“Lajçaku pati një takim jozyrtar dypalësh me zëvendëskryministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, në Bratislavë më 10 korrik. Ata diskutuan për përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në veri, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat veriore dhe kthimin në zbatim të marrëveshjeve, sipas deklaratës së 3 qershorit. Ata u dakorduan për hapat e parë të Kosovës në këto tri fusha. Këto përfshijnë zvogëlimin e menjëhershëm të pranisë policore në ndërtesat komunale dhe përreth, Kosova të kryejë vlerësime të rregullta të përbashkëta me EULEX-in dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e uljes të mëtejme të kësaj pranie, duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën, si dhe inkurajimin për zgjedhje të parakohshme, e për vendosjen e bazës së kërkuar ligjore”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës të martën nuk ka bërë të ditur se për çfarë janë dakorduar Bislimi i Lajçaku në takimin që e kanë zhvilluar të hënën në Bratisllavë.

Pas takimit ata thanë se janë dakorduar edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.