Ende asgjë nuk është mbyllur, por duket se Chelsea e ka seriozisht idenë për të marrë trajnerin e kombëtares italiane Antonio Conte në stol sezonin e ardhshëm. Mediat italiane zbulojnë se orët e fundit ka patur një tjetër kontakt të drejtpërdrejtë mes palëve, që kanë diskutuar për kontratën dhe kanë arritur një marrëveshje paraprake. 

Tashmë pritet "OK" përfundimtar i presidentit të Chelsea, Roman Abramovich, nëse ky i fundit do të vendosë t’ia besojë detyrën e trajnerit Antonio Contes. Një hap përpara ky i trajnerit italian, që kishte si rivalë edhe Diego Simeone e Massimiliano Allegri për stolin e “bluve” të Londrës. Antonio Conte është shprehur i gatshëm për një aventurë në Premier League dhe gjithnjë e ka pëlqyer ekipin londinez, që gjithashtu ka treguar simpati për trajnerin italian. Natyrisht që skuadra e sezonit të ri ka nevojë për 2-3 blerje të reja për të qenë kompetitive dhe duket se Conte ka bërë me dije se cilët lojtarë kërkon. 

Pra, palët kanë idetë e qarta se çfarë duhet bërë në të ardhmen, ndaj dhe një marrëveshje paraprake është arritur. Por, për momentin, Conte ka një detyrë, atë të trajnerit të Italisë dhe i duhet të mbyllë aventurën në Europian para se të “zbarkojë” në Premier League. Aventura e Conte në kombëtare duket se është drejt fundit. Chelsea po e pret…