23 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e shënuan të ndara dhe me akuza ndaj njëra-tjetrës.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka qenë drejtues politik dhe ushtarak i ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, mendon se pushteti sot i është larguar marrëveshje kornizë për shkak të heqjes së atij që njihej si element balancues dhe që synonte sistemimin e nëpunësve në administratën shtetërore sipas përkatësisë etnike në bazë të përqindjes së popullatës, si edhe dhe për shkak të emërimit për ministër të Marrëdhënieve me Komunitetet të një pjesëtari të komunitetit serb i dyshuar për afërsinë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe me shërbimet inteligjente serbe e ruse, ndërsa u zotua të punojë pa rreshtuar për mbrojtjen e kësaj ujdie.
Bujar Osmani po ashtu kujtoi se Marrëveshja u hartua për të zgjidhur tensionet etnike, e tha se parimet e saj po cënohen.
Fronti Europian, ku bën pjesë edhe krahu i Aleancës për Shqiptarët i Ziadin Sela, konsideron madje se në vend po bëhen përpjekje për rrënimin e paqes që e arriti Marrëveshja e Ohrit.
Izet Mexhiti, zëvendës-kryeministër i Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut insistoi sakaq se kjo qeveri ka kapacitet dhe besim për ruajtjen e paqes në të gjithë vendin, për ngritjen e standardeve të qytetarëve dhe përfshirjen dhe integrimin e tyre, ndërsa kryeministri Hristijan Mickovski që në të kaluarën nuk ka shfaqur mbështetje për marrëveshjen në fjalë, u shpreh se gjërat duhen parë me një dozë objektiviteti, përfshirë kontributet që ajo ka sjellë.
Marrëveshja që i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave ushtarake e policore maqedonase dhe solli paqen e brishtë në vitin 2001, duhej zbatuar deri në vitin 2004, por edhe pas 23 vjetësh nga nënshkrimi i saj, ende ka ankesa se ky dokument nuk po zbatohet në praktikë në të gjitha fushat.