Politika shqiptarë është bërë bashkë dhe ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.
I pari që reagoi ishte ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili përmes një postimi në Twitter, shkruan:
"Vota e Kuvendit të Greqisë për Marrëveshjen e Prespës zgjidhi mosmarrëveshjen prej 27 vitesh mbi çështjen e emrit dhe hap dyert për pranimin në BE të NATO-s dhe BE. Ky është një moment historik për Ballkanin dhe Evropën. Urime! NikosKotzias, Dimitrov_Nikola, Zoran_Zaev, tsipras_eu, Zoran_Zaev."
Presidenti Ilir Meta e ka quajtur një lajm të shkëlqyer, i cili në një postim në Facebook, përgëzoi dy shtetet për arritjen historike.
"Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike!"
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e quajti një veprim kurajoz të Greqisë. "Votimi, nga një parlament vizionar. Ballkani po çlirohet nga inercitë shekullore".
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shkruan në Twitter se marrëveshja konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
"Përshendes ratifikimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamenti helen që i hap rrugën anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe konsolidon bazat e bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin e rajonit."
Ish-ministri i Jashtëm njëherazi deputeti demokrat, Tritan Shehu shkruan se votimi i Marrëveshjes së Prespës është një lajm i mirë për të dyja vendet pasi do të forcojë paqen e sigurinë rajonale.
"Parlamenti i Greqise voton pozitivisht Mareveshjen e Prespes, nje lajm i mire ky per ato dy vende e Rajonin tone. Antaresimi i shpejte tashme i Maqedonise se Veriut ne NATO, vecse do te forcoje paqen e sigurine rajonale. Nje hap ky edhe drejt rruges sone te perbashket per ne BE e konsolidimit tone ne hapesiren Perendimore".





