SHBA, 25 prill 2013 – Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve së Kongresit amerikan diskutoi ditën e mërkurë për Kosovën dhe Serbinë, për herë të parë që kur u arrit marrëveshja e një jave më parë mes dy vendeve. Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit i ftuar në seancë, shprehu optimizëm për kompromisin, por anëtarët e Kongresit dhe analistët e ftuar shprehën mendime të ndryshme për efektivitetin e kësaj marrëveshjeje. Drejtori për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore tha se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës. Ai tha se SHBA nxit Kosovën dhe Serbinë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet.
“Pavarësisht nga vështirësitë, kjo marrëveshje është mënyra më e mirë përpara. Pajtimi është synimi i Serbisë dhe Kosovës dhe jo ndarja, apo këmbimi i territoreve”,- tha Moore.
Sipas tij se nuk bëhet fjalë që të ndryshohen kufijtë në bazë të ndarjeve etnike. Shumë nga pjesëmarrësit në nën komision e kanë quajtur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë historike, por ata janë gjithashtu të mendimit se zbatimi i saj do të jetë një sfidë e vështirë.





