Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është rezultat i mbledhjes dhe marrëveshjes së dy qeverive, në nëntor të vitit 2021.

Kjo abetare do të jetë e dyta pas vitit 2012, kur ishte përzgjedhur abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Abetarja e përbashkët pritet të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator 2022

Shtëpitë botuese ‘Pegi’ nga Shqipëria dhe ‘Dukagjini’ nga Kosova janë shpallur fituese të konkursit për botimin e Abetares së përbashkët, mbarëkombëtare.

Abetarja e përbashkët mbarëkombëtare do të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator 2022, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Përzgjedhja e shtëpive botuese fituese është bërë më 31 maj dhe ka pasur një periudhë prej 15 ditësh për ankesa, shkruan dukagjini.com.

Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është rezultat i mbledhjes dhe marrëveshjes së dy qeverive, në nëntor të vitit 2021.

Kjo abetare do të jetë e dyta pas vitit 2012, kur ishte përzgjedhur abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Megjithatë, derisa në Kosovë përdorej një, në Shqipëri ishin lënë disa sosh si opsione duke bërë të mos ketë një abetare të njëjtë.

Ndërkaq, më 20 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se botuesi për botimin e Abetares së përbashkët tashmë është zgjedhur.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama ka theksuar se faza e parë lidhur me botimin e Abetares së përbashkët tashmë ka përfunduar.

I pari i qeverisë shqiptare ka potencuar se e njëjta do të dërgohet në Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera ku ka shqiptarë.

“E kemi fituesin e Abetares. Ka mbaruar faza e parë. Do ta dërgojmë këtë Abetare edhe në Maqedoni dhe në shtetet e tjera për rreth ku ka shqiptarë”, është shprehur Rama.

Ndërkaq, më 7 korrik, Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) në Shqipëri, në një komunikatë, ka bërë të ditur se në vijim të punës për përmbushjen e kritereve teknike të tekstit të vetëm të përbashkët, i ka bërë thirrje Shtëpisë Botuese ‘Pegi’, për t’i dërguar pesë kopje fizike dhe digjitale të tekstit “Abetare” dhe fletores së punës në Komisionin e Përbashkët në këtë ministri, në mënyrë që të miratohet ky tekst.

Më 26 nëntor 2021, Shqipëria dhe Kosova morën vendim për bashkëpunim në fushën e arsimit.

Ndërkaq, më 21 dhjetor të po atij viti, ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, së bashku me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, kishin nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një Abetareje të përbashkët në dy shtetet.

Më 28 janar të vitit 2022, Ministria e Arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri, kishin hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, të shoqëruar me fletoren e punës.

Kështu kishte bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Një gjuhë, një Abetare…Pas një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët ‘Abetare’, të shoqëruar me fletoren e punës”, kishte shkruar Nagavci.

Ajo kishte ftuar shtëpitë botuese nga të dyja shtetet që të aplikojnë në këtë konkurs.

Abetarja mbarëkombëtare ishte promovuar si ide, ne takimin e përbashkët mes dy qeverive, në Prizren, nga kryeministri i atëhershëm në Shqipëri, Sali Berisha dhe ish- kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Teksti fitues për abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të vitit 2012.

Abetare kjo që kishte katër bashkautorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Ndërkaq, në këtë ceremoni, pas bërjes së abetares së përbashkët, Shqipëria dhe Kosova ishin dakorduar që në vazhdimësi të ketë edhe unifikim të teksteve të tjera shkollore.

Marrë nga: Monitor