Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit në Qeverinë Rama, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i larguar nga LSI, ka deklaruar se nuk do të votojë në Kuvend ndryshimet në Reformën Zgjedhore, të cilat do të vijnë si fryt i paktit të arritur në Këshillin Politik mes PS-PD dhe LSI.
Koka në një reagim publik në faqen e tij të Facebook-ut, thekson se mbështet nismën e propozuar nga deputetët e opozitës së re, të përfaqësuar nga Myslim Murrizi.
Deputeti i larguar nga LSI shprehet se nisma e deputetëve të opozitës sipas tij garanton lista të hapura dhe depolitizim të komisioneve zgjedhore, ndërkohë që marrëveshjen e politike e ka quajtur si “t’i lëmë gjërat siç janë”.
“Nisma e re e deputetit Murrizi dhe kolegut Musai krahas të tjerë deputetëve të opozitës parlamentare , më duket shumë më interesante, se sa gjella bajate e gatuar me muaj të tërë nga kolegët Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri.
Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve me shumë parti, që si fëmijët e lagjes fshihen pas të madhit, shkojnë në drejtimin e duhur për reformimin e politikës.
Përshëndes deputetin Murrizi dhe kolegun Musai, bashkë me kolegët e tjerë për sfidën e hapur ndaj statukuosë që ka zhgënjyer thellë qytetarët shqiptarë”, shprehet ai.
Ndërkohë që për marrëveshjen politike mes PS-PD dhe LSI, Lefter Koka thekson se nuk do marrë mundimin as ta votojë kundër dhe as pro. “Përndryshe për marrëveshjen për t’i lënë gjërat siç janë, garantoj qytetarët se nuk do të lodhem të ngre kartonin, as për pro e as për kundër”, thekson ai.
Reagimi i plotë i Lefter Kokës:





