Tiranë, 30 maj 2014 – Shqipëria nënshkroi sot një marrëveshje huaje prej 220 milionë dollarësh me Bankën Botërore. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, kryeministri Rama e cilësoi këtë një mbyllje të një kapitulli të vjetër dhe nisjen e një të riu në marrëdhënie me partnerët ndërkombëtarë. Duke iu referuar marrëveshjes me FMN-në, Rama tha se edhe kjo marrëveshje është produkt i një pune që shkon përtej qeverisë sonë.
“Jemi të shtyrë drejt sfidës së një ndërveprimi shumë herë më intensiv me shtete, aktorë shoqërorë dhe shumë grupe interesi. Ne patëm një mbledhje të këshillit ekonomiko tregtar që ka në grupin e vetë një grup ekspertësh të nivelit të lartë botëror. Kënaqësi dhe krenari të dëgjonim nga goja e tyre vlerësime shumë të larta për marrëveshjen e nënshkruar sëfundmi. Morëm shumë përgëzime dhe lëvdata. Ashtu si atë ditë, ajo marrëveshje dhe kjo janë produkt i një pune që shkon përtej qeverisë. Ne kemi një meritë të vetme për të cilën jam krenar është se kemi arritur të krijojmë një frymë skuadre dhe formë të re bashkëpunimi”, shtoi kryeministri.
Sipas kryeministrit, kjo hua do t’i japë frymëmarrje ekonomisë shqiptare. “Do na japë mundësinë të frenojmë hemorragjinë e madhe ku e gjetëm organizmin e vendit por edhe mundësinë për të rritur ekonominë tonë”, tha ai më tej.
Në fjalën e saj, zv.presidentja e Bankës Botërore, Laura Tuck tha se marrëveshja financiare e nënshkruar sot tregon angazhimin e BB-së në Shqipëri. Stabilizimi financiar që keni nisur këtë vit, theksoi ajo, duhet të vazhdojë në afat të mesëm.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





