Është depozituar në Kuvend marrëveshja mes qeverisë dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim sa i takon ndërtimit të terminalit të trageteve në Durrës. Në seancën e djeshme është njoftuar depozitimi i saj, teksa janë bërë të ditura dhe detajet.

Sipas relacionit, projekti “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe shesheve përreth në Portin e Durrësit”, konsiston në ndërtimin e një terminali të ri tragetesh për pasagjerët, me ambiente ndihmëse në Portin e Durrësit, porti kryesor i Shqipërisë mbi detin Adriatik. Projekti përfshin një ndërtesë me ambiente për pasagjerët dhe shoferët e automjeteve, trajtimin e procedurave doganore, zona sirenash të shtruara dhe lidhje kalimi, si dhe punime mbështetëse që lindin nga rirregullimi i operacioneve ekzistuese të ngarkesës së portit.

Ky projekt është i ndarë në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me ndërtimin e një terminali të ri tragetesh në Portin e Durrësit, rehabilitimin e infrastrukturës shoqëruese, gjithashtu dhe me garantimin e elementeve të sigurisë së anijeve ndërmjet dy brigjeve.

Faza e dytë e këtij projekti ka të bëjë me rehabilitimin e pjesshëm të kalatave 7 dhe 8, eliminimin e pjesëve të zbrazëta nën kalata, shtrime të reja ballore dhe ndërtimin e rrjeteve inxhinierike. Me qëllim financimin e këtij projekti, në vitin 2007 u lidh kontrata financiare me Bankën Evropiane të Investimeve për akordimin e një kredie, në vlerën prej 18 milionë eurosh. Ndryshimi që synohet nëpërmjet dokumentit të ndryshimit që i bashkëlidhet projektvendimit, konsiston në shtyrjen e afatit të disbursimit të kredisë së akorduar nëpërmjet kontratës financiare në fjalë, deri më 31 dhjetor 2016.

Projekti financohet nga Banka Evropiane e Investimeve, me një kredi në vlerën prej 18 milionë eurosh, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një kredi në vlerën prej 14 milionë eurosh, e cila është marrë nga Autoriteti Portual Durrës dhe garantohet nga Republika e Shqipërisë, nëpërmjet një kontributi të qeverisë shqiptare në vlerën 5.8 milionë euro, si dhe një granti të akorduar nga fondet e Komisionit të Bashkimit Evropian, në vlerën 2.2 milionë euro.