Tiranë, 20 mars 2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj thekson se qeveria shqiptare nuk ka asnjë detyrim brenda marrëveshjes me FMN-në për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. 

Në një deklaratë për mediat, ministri Ahmetaj theksoi se ajo që do të bëjë "qeveria Rama" është mbrojtja e familjeve shqiptare. “Do të kujdesemi që xhepi i familjeve shqiptare të mos pësojë asnjë goditje" u shpreh ministri. 

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij i mëshon faktit që qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e arkëtimeve për energjinë që faturohet, si dhe duhet të ulen vjedhjet. Sipas FMN-së, orientimi kryesor duhet të jetë drejt bërjes së sektorit të qëndrueshëm dhe likuid. Për këtë sakrifica duhet të shtrihet edhe te subvencionimi që sot qeveria i bën energjisë. 

Duke folur për marrëveshjen 3-vjeçare të nënshkruar nga Qeveria Shqiptare me FMN, më 28 Shkurt 2014, nga e cila vendi ynë do të përfitojë rreth 457 milionë dollarë me qëllim realizimin e reformave për shpejtimin e zhvillimit ekonomik, Ahmetaj tha se marrëveshja është fillimi i pranverës ekonomike për Shqipërinë. 

“Marrëveshja është nënshkruar me kërkesë të qeverisë shqiptare, në dritë të diellit në sytë e publikut shqiptar, medias, e keni transmetuar me të gjitha detajet, në formë dhe me shifra dhe në gjithçka që mbart. Një pjesë serioze e marrëveshjes është reflektuar në paketën e fiskale që ne kaluam në parlament, në buxhetin e vitit 2014, ku u ulën taksat për 97% të shqiptarëve. Në datën 1 Prill hiqet TVSH-ja medikamenteve, masë kjo e marrë brenda paketës fiskale dhe në bashkëpunim me FMN”,- tha Ahmetaj. 

Ministri i zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tha se nëpërmjet kësaj marrëveshje qeveria synon transparencën, si thelb të mirëqeverisjes së saj. 

Sipas Ministrit Ahmetaj, qëllimi i marrëveshjes me FMN është krijimi i një disipline fiskale afatmesme që do na japë ulje të borxheve.

I kujtoi shqiptarëve se kur erdhëm në qeveri 6-muaj më parë kemi gjetur nga qeveria shkuar 720 milion lekë borxh të fshehur , prandaj marrëveshja me Fondi Monetar Ndërkombëtar është një marrëveshje që përveç të gjitha reformave strukturore ka në brendësi të saj edhe një financim serioz të, në më shumë se 300 milion euro dhe gjithashtu një paketë po kaq të madhe dhe ndoshta më të madhe nga Banka Botërore, e cila do na jap projekte të reja prej 350 milion eurosh, në 200 milion në buxhet dhe 150 milion euro në sektorin energjetik, sektor i rrënuar nga qeverisja e Berishës.”,- theksoi Ahmetaj. 
Sipas tij, programi i marrëveshjes me FMN garanton se qeveria shqiptare jo vetëm që ka besimin e ndërkombëtarëve, që do të jetë transparente, por garanton besimin ndaj qytetarëve shqiptar ndaj institucioneve, pasi kjo paketë nuk ngurtëson shqiptarët, nuk i cenon qytetarët, por jep optimizëm, ka rritje ekonomike dhe forcon vendin tonë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/