Tiranë, 20 mars 2014 – Kryeministri Sali Berisha tha sot se marrëveshja me FMN-në e firmosur nga qeveria pa i thënë asnjë fjalë publikut, zhyt shqiptarët në skamje dhe mjerim më të thellë. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Berisha shkruan se marrëveshja parashikon rritje të 10 taksave, ngrirje të rrogave për 3 vjet dhe rritje të moshës së pensionit.
“Të dashur miq, marrëveshja e fshehtë me FMN, e firmosur nga qeveria pa i thënë asnjë fjalë publikut, zhyt shqiptarët në skamje dhe mjerim më të thellë. Në marrëveshje është vendosur: rritja e moshës së pensionit, ngrirja tre vjet e rrogave, rritja e çmimit të energjisë dhe ujit dhe TVSH-së së ushqimeve dhe mallrave të tjera, rritja e taksave për tokën, banesën dhe shitjen e saj, rritja e taksës mbi makinat e përdorura, mbi biletat e udhëtimit, depozitat bankare dhe rritja e akcizës se naftës, rritja me 20% e telefonatave nga emigracioni në Shqipëri. Kjo është paketa e negociuar dhe firmosur nga Edi Rama dhe ekipi i tij, më i dobëti në 23 vitet e fundit. Asnjë komb apo shoqëri nuk do pranonte një barrë kaq të rëndë fiskale. Kjo është politika e një analfabeti në ekonomi. Duhet t’i themi një JO të madhe kësaj barre të rëndë dhe të pamerituar mbi supet e lodhura të qytetarëve tanë!”,- shkruan Berisha.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





