TIRANE,17 dhjetor 2013 – Qeveria shqiptare ka përfunduar negocimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për kredinë që do të merret në mbështetje të buxhetit. Takimi përfundimtar u zhvillua në orët e paradites në ambientet e Ministrisë, ku të pranishëm përveç përfaqësuesve të FMN-së, kanë qenë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Burime nga dikasteri i financave bëjnë të ditur se është arritur që të sigurohet një mbështetje financiare për një periudhë 3-vjeçare, me një total prej 1 miliard dollarë. Për vitin e ardhshëm, FMN dhe Banka Botërore do të lëvrojë deri në 350 milionë dollarë, ndërsa pjesa tjetër, do të jepet në periudhën e mbetur, nga 300 milionë dollarë çdo vit.
Palët kanë rënë dakord edhe për kushtet e vendosura. Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se FMN dhe Banka Botërore kërkuan që nga paketa fiskale të sigurohej një rritje e të ardhurave me 18 miliardë lekë. “Kushti i dytë kishte të bënte me shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, dhe i treti, me mos krijimin serish të një situate të tillë me sipërmarrjen private”,- është shprehur Cani.
Pas arritjes së marrëveshjes, pritet që sot në ora 18:00 shefi i misionit të FMN-së Nadeem Ilahi, ministrat Cani dhe Ahmetaj, si dhe Guvernatori Fullani të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
/balkanweb/





