Këtë të enjte në seancën parlamentare diskutohet ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se politikat për pensionet i takojnë brezave dhe jo forcës qeverisëse. Sipas tij, palët duhet të jenë bashkë për disa politika të caktuara si për shembull pensionet.

“Atë çfarë dua të them është se janë disa politika për të cilat duhet të jemi bashkë. Janë disa politika si kjo e pensioneve që nuk i takojnë forcës së qeverisë sot, i takojnë brezave. Edhe kjo që kemi bërë sot dhe marrëveshjet që po nënshkruajmë me shumë shtete të BE ose jashtë Be-së po megjithatë ku ka shqiptarë ku duhet t’u njihen të drejtat e tyre për të kontribuuar njëlloj si shtetasit europianë ku ata jetojnë është përpjekje fatkeqësisht përsëri për ju, vjen e gjitha nga ana jonë. Kam listën e marrëveshjeve të arritura. Janë mbi 20 të arritura. Fatkeqësisht asnjëra nuk është bërë në kohën kur keni qeverisur. E para është bërë me Turqinë në 2005 kur ne ishim në qeverisje dhe e dyta në radhë fillon në Janar 2016 kur përsëri me Belgjikën ne nënshkruam marrëveshjen e parë. Ne vazhdojmë të pranojmë atë që zonja Tabaku tha, parimet e së majtës ku njerëzit duhet të jenë të barabartë, kontributet duhet të jenë të barabarta dhe njerëzit të përfitojnë në bazë të asaj që kontribuojnë. Kjo është skema e re e pensioneve. Këto janë parimet që duam të bëjmë me shqiptarët kudo ndodhen nëpërmjet miratimit të këtyre reformave”, tha Klosi.

Një ftesë e pati edhe për opozitën në takimet e kryeministrit jashtë vendit. Sipas tij, zëri që fituan shqiptarët në Athinë do të dëgjohet shpejt në Itali, Angli dhe Gjermani. Sipas tij, shqiptarët që shkojnë atje nisen nga flamuri kuqezi e jo nga bindjet partiake.

“Zëri që fituan shqiptarët në Athinë shumë shpejt do të dëgjohet në Italinë e Veriut më 26 Maj, në 2 Qershor në Londër në 16 Qershor në Dyseldorf dhe ju ftoj që si të gjithë shqiptarët do vijnë në këto takime nisur nga flamuri kuqezi dhe aspak nga bindjet partiake le të jeni dhe ju aty së bashku me ne për të kuptuar sa e rëndësishme është që ne t’i qëndrojmë pranë çdo shqiptari kudo që ai ndodhet”, tha Klosi.