Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i ftuar sot në intervistën e tij të fundit për këtë vit, në emisionin Top Story në Top Channel me Sokol Ballën.
Në këtë intervistë foli dhe për marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën. Sipas Bashës nuk ishte gabim marrëveshja, por investimi me personin e gabuar.
Pjesë nga intervista
A ishte marrëveshja me Edi Ramën një gabim historik i karrierës tuaj të re politike, si kryetar i Partisë Demokratike?
Marrëveshja e 18 Majit ishte një marrëveshje e diktuar në një situatë unike dhe kritike për Shqipërinë e 27 viteve. Nuk ishte marrëveshja gabimi. Gabimi ishte investimi me një marrëveshje me një person që nuk e njeh marrëveshjen. Me një person apo faktor politik i cili provon se jo thjeshtë marrëveshja me kundërshtarin, por edhe fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga fëmijët e vegjël, që nga foshnjet e sapolindura e deri tek pensionistët në moshë të thyer, ka për borxh t’ia vërë në funksion egos së shfrenuar për pushtet dhe pasuri personale.





