Presidenti i Italisë Sergio Mattarella i është përgjigjur miliarderit amerikan Elon Musk që një ditë më parë ndërhyri në paktin Shqipëri-Itali për emigrantët, duke kritikuar gjyqtarët që shprehen kundër qeverisë Meloni për dërgimin e refugjatëve në Gjadër. 

Sot, kreu i shtetit italian thotë se Italia është një shtet që di të kujdeset për veten. 

“Italia është një vend i madh demokratik. Dua të ritheksoj fjalët që kam përdorur në një tjetër aktivitet në vitin 2022, se Italia di të kujdeset për veten në përputhje me Kushtetutën e saj. Çdokush duhet të respektojë sovranitetin dhe nuk mund të marrë përsipër detyrën për të dhënë këshilla”. 

Por miliarderi Musk ka reaguar sërish në rrjete sociale, duke shkruar: “Kjo është e papranueshme. A jeton populli italian në një demokraci apo është një autokraci e pazgjedhur ajo që merr vendime”? 

Një ditë më parë, Elon Musk doli në krah të Qeverisë Meloni pasi Gjykata e Romës urdhëroi kthimin në Itali të 7 emigrantëve nga vendet e treta që ishin vendosur në kampin e Gjadrit në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni.