DURRËS, 28 nëntor 2014 – Përmirësimi i sigurisë hidro-lundrimore, teknologji dhe metoda të reja për mbledhjen e të dhënave batimetrike të relievit të fundit të detit, realizimi i hartave të reja elektronike, kështu Shërbimi Hidrografik Shqiptar përfton nga një projekt bashkëpunimi me Norvegjinë.
Zëdhënësi i komandës së Forcës Detare me seli në Plepa të Durrësit Shefqet Kërcelli njofton se, më 27 nëntor 2014, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua ceremonia e përurimit të projektit ALNO-HIP (Albanian-Norvegian Hydrographic Information Project) dhe nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse me Drejtorinë e Shërbimit Hidrografik të Mbretërisë së Norvegjisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë Ministrja e Mbrojtjes së RSH; Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura gjeneral-major Jeronim Bazo; komandanti i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti dhe drejtues të tjerë të lartë të FA, drejtues të Shërbimit Hidrografik të Norvegjisë dhe specialistët e zbatimit të këtij projekti, personeli i Shërbimit Hidrografik Shqiptar dhe Institutit të Gjeografisë Ushtarake, ish-drejtues të këtyre institucioneve, etj.
Komandanti i Shërbimit Hidrografik Shqiptar kapiten i rangut II Lulzim Kryeziu tha se projekti me një vlerë rreth 1, 2 milion euro, që do zgjasë tre vite kalendarike dhe katër vite financiare, synon përmirësimin e sigurisë hidro-lundrimore në hapësirën detare të RSH, nëpërmjet përmbushjes së detyrimeve të konventës IMO-SOLAS.
Gjithashtu projekti do bëjë të mundur aplikimin e teknologjive dhe metodave të reja për mbledhjen e të dhënave batimetrike të relievit të fundit të detit, menaxhimin e tyre dhe në bashkëpunim me IGJU, realizimin e hartave të reja elektronike.
Të pranishmit i përshëndeti dhe Ambasadori i Mbretërisë Norvegjeze në vendin tonë z. Jan Braathu.
Marrëveshjen për palën shqiptare e nënshkroi sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes Arjan Kraja dhe për palën norvegjeze drejtori i Shërbimit Hidrografik të Mbretërisë Norvegjeze Evert Flier.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





