Nga Prof. As. Dr. Osman Metalla
Pas takimeve të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, njëri në Kretë dhe tjetri në Korçë, njëri më hermetik se tjetri në raport me opinionin publik, tashmë vjen dhe deklarata e parë e ministrit të Jashtëm të Greqisë zotit Kotzias, i cili deklaron se pala shqiptare ka pranuar që Greqia të lejojë Greqinë të shtrijë ujërat e saj territoriale deri në 12 milje detare. Që në krye të herës duhet thënë se Greqia që nga viti 1936 e ka të përcaktuar detin e saj territorial me një shtrirje deri në 6 milje detare nga vija normale baze (ligji 230/1936 i amenduar me dekretin presidencial 187/1973), ndërsa bazuar në ligjin 5017/1931, së bashku me Dekretin e 6 shtatorit të vitit 1931, hapësira ajrore është 10 milje detare. Në vitin 1995 Greqia ratifikoi Konventën e Detit me ligjin 2321/1995 dhe sërish dhe pse Konventa parashikonte të drejtën e vendeve anëtare për të shtrirë ujërat territoriale deri në 12 milje detare, Greqia nuk e deklaroi një gjë të tillë dhe vazhdoi të ruante të njëjtën status quo lidhur me shtrirjen e hapësirës territoriale deri në 6 milje detare. Marrëveshja e prillit të vitit 2009, e cila është bërë nul nga ana e Gjykatës Kushtetuese, është hartuar bazuar në këto kushte ligjore, d.m.th. bazuar në deklarimin e ujërave territoriale të Greqisë me nje shtrirje deri në 6 milje nga vija bregdetare (vija bazë).
Deklarata e ministrit të Jashtëm grek se “kemi rënë dakord me palën shqiptare që ne të zgjerojmë sovranitetin mbi detin territorial deri në 12 milje detare” është një deklaratë e cila në vetvete përbën një kambanë alarmi për çdo qytetar të këtij vendi.
Së pari, bazuar në këtë deklaratë, e cila thënë nga goja e ministrit të jashtëm të Greqisë nuk është më një thashethem, por informacion zyrtar, e vë palën shqiptare në një disfavor të thelluar në zgjidhjen e ushtrimit të delimitimit të hapësirave detare. Së dyti, kjo deklaratë cenon në mënyrë të drejpërdrejtë ekuilibrat gjeopolitikë në detin Egje, duke implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe Shqipërinë. Në momentin e ratifikimit të Konventës së Montego Bayt (UNCLOS-82), Greqia pati deklaruar se rezervon të drejtën e zgjerimit të ujërave territorial deri në 12 milje në çdo kohë. Mënjëherë pas kësaj deklarate, Parlamenti Turk më datën 8 qershor 1995 miraton një rezolutë, nëpërmjet së cilës autorizon qeverinë turke me të gjitha kompetencat e saj t’i deklarojë luftë Greqisë (casus belli).
Deklarata e ministrit të Jashtëm grek se pala shqiptare pranon që Greqia të zgjerojë detin e saj territorial deri në 12 milje, implikon palën shqiptare në mosmarrëveshjet që Greqia ka. Së treti, delimitimi është një proces thellësisht teknik, dhe si i tillë, ai zgjidhet e diskutohet ndërmjet ekspertësh. Fakti që Ministri Kotzias, ngrihet sot dhe deklaron se kemi rënë dakort dhe pala shqiptare ka pranuar që Greqia të zgjerojë detin territorial pa asnjë ligj, si dhe në prill do të kemi marrëveshjen, e bën këtë marrëveshje thellësisht të papranueshme, pasi kjo është një marrëveshje e zgjidhur politikisht, dhe jo e zgjidhur me ekipe ekspertësh. Edhe nëse do të ketë ekipe negocimi, këto ekipe do të pranojnë çdo propozim për të cilin është rënë dakord, dukë cenuar në këtë mënyrë frymën e Konventës, si dhe duke shkelur dhe interesat tona Kombëtare. Pranimi nga ana e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë i kushtit të palës greke për zgjerimin e detit territorial, përtej parashikimeve ligjore që vetë Greqia ka, përbën një koncension të paprecedentë dhe një cenim të drejtpërdrejtë të interesave sovrane të Shqipërisë.
Çdo përpjekje për të zgjidhur të gjitha ato çështje të cilat për dekada kanë mbetur pezull ndërmjet dy vendeve është për t’u përshëndetur, por në asnjë rast nuk justifikon nxitimin e qeverisë shqiptare për t’i zgjidhur sa më parë të jetë e mundur dhe me kosto për vendin tonë. Sa shpejt biem dakord për varrezat e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke, edhe pse nuk dihet sa është saktësisht numri i të vrarëve dhe të humburve, në një kohë kur çamët e dëbuar janë akoma gjallë, pronat e tyre janë akoma mbi tokë dhe pala greke në asnjë rast nuk pranon as ta cekë këtë çështje. Nëse Qeveria Shqiptare dëshiron të fitojë mbështetjen e palës greke për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, kjo nuk mund të bëhet kurrë në kurriz të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
*Autori – Dekan në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës