Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, reagoi ndaj kritikave të opozitës së qendrës së majtë lidhur me marrëveshjen për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shqipëri. 

Ajo theksoi se interesi ndërkombëtar për këtë nismë tregon vlerën e saj. Në një postim në aplikacionin X, Meloni theksoi se ndërsa Evropa diskuton për iniciativa për të frenuar emigracionin e parregullt, disa në Itali vazhdojnë t’i sulmojnë këto përpjekje.

Ajo përmendi se mbrojtja e kufijve dhe ndalimi i trafikimit të qenieve njerëzore është një prioritet jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Evropën.

Ndërkohë, partitë opozitare dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar marrëveshjen, duke e cilësuar si të kushtueshme dhe si një çështje problematike për emigrantët.

Më herët, Elly Schlein nga Partia Demokratike (PD) përsëriti kritikat e saj për Protokollin Itali-Shqipëri gjatë një takimi në Bruksel. Një anije e marinës italiane me grupin e parë të emigrantëve që do të shqyrtohen sipas sistemit mbërriti në Shqipëri më 16 tetor 2024.