37 mikrobusë dhe automjete elektrike do t’i jepen Shqipërisë nga qeveria britanike me një kosto prej 1.5 milionë paund, si pjesë e një marrëveshjeje të fundit për kthimin e të burgosurve shqiptarë, shkruan “The Independent“.

Marrëveshja, e shpallur në maj, do të bëjë që 200 shtetas shqiptarë të burgosur në Angli dhe Uells të dërgohen në shtëpi për pjesën tjetër të dënimit. Në këmbim, qeveria tha se do të ndihmonte në “modernizimin” e sistemit të burgjeve shqiptare. Sipas shkrimit të gazetës britanike, “marrëveshja pritej t’i kushtonte Ministrisë së Drejtësisë rreth 8 milionë paund gjatë dy viteve, me financime të tjera që vinin nga Zyra e Brendshme”.

“Zyrtarët këmbëngulën se kjo paraqet një kursim kostoje, duke theksuar faktin se kushton 40,000 £ në vit për të strehuar çdo të burgosur në Britani”, vijon më tej gazeta.

Independent teksa i referohet detajeve të reja nga kontratat e qeverisë, e publikuar këtë muaj, thotë se ‘një pjesë e marrëveshjes shumëmilionëshe po shkon drejt pajisjes së shërbimit të burgjeve shqiptare me një flotë të re automjetesh’.

Rreth 500,000 £ do të shpenzohen për 15 automjete elektrike, ndërsa 22 mikrobusë të rinj do t’i ofrohen shërbimit të burgjeve të Shqipërisë me një kosto prej më shumë se 1 milion paund”.

Duke shpallur marrëveshjen në maj, Sekretari i Drejtësisë Alex Chalk tha se “publiku pret që kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet e tyre jashtë shtetit – jo në burgjet tona në kurriz të taksapaguesit”.

Ai premtoi se marrëveshja “do të përshpejtojë largimin e këtyre shkelësve dhe do t’u japë viktimave besimin se kriminelët e rëndë do të vazhdojnë të përballen me drejtësinë dhe të kalojnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre pas hekurave”.

Ministria e Drejtësisë nuk ka thënë se kur do të dorëzohen automjetet dhe nëse do të mund të dërgohen më shumë vetura në të ardhmen, mbyll shkrimin e saj gazeta britanike.