Një grup pensionistësh dolën këtë të enjte në protestë para ambasadës italiane në Tiranë, për të kërkuar njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë. Ata u pritën nga ambasadori italian Fabrizio Buçi, i cili u premtoi se marrëveshja përfundimtare për pensionet mes dy vendeve do të përmbyllet shumë shpejt.

“Nga ana e qeverisë së Italisë është vullneti i plotë për të arritur këtë marrëveshje. Vitin e shkuar kemi arritur në marrëveshje që praktikisht është drejt fundit. Jemi në stadet e fundit. Mungojnë detaje formale,… ne jemi të angazhuar për të arritur këtë marrëveshje. E di që keni shumë vite që e prisni, ju lutem vetëm të prisni edhe pak. Kemi një angazhim maksimal nga ana jonë, por dhe nga ana ime personalisht”, tha mes të tjerash Buçi.

Shqipëria ka marrëveshje për pensionet me disa vende, por ende jo me Italinë. Marrëveshja për pensionet nënkupton që qytetarët të cilët jetojnë dhe punojnë në një vend tjetër, e që përpara se të iknin në këtë vend kanë pasur kontribute edhe Shqipëri, këto kontribute mblidhen duke bërë të mundur që të marrin pension në të dyja vendet.