Kryedemokrati Lulzim Basha, një ditë pas paktit të parë mes palëve për Reformën Zgjedhore ka garantuar shqiptarët se ky është vetëm fillimi i betejës, një arritje pas këmbënguljes së opozitës dhe presionit ndërkombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se “pavarësisht prej propagandës së shfrenuar të atij që për 4 muaj anashkaloi kushtet e Bunestagut, Reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseduopozita e blerë më paratë e krimit dhe oligarkisë”.

“Falenderim të thellë për Bundestagun gjerman, SHBA dhe BE, në veçanti për ambasadorin britanik mes të cilit u vu në lëvizje mekanizmi që coi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës. Jam këtu për të garantuar shqiptarët, demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, rininë shqiptare se procesi që do të nisim ka vetëm një qëllim të kthejë lirinë e votës të kthejë mundësinë që çdo shqiptar të vendosë qeverinë që do, kryebashkiakët që do, parlamentin që do e t’i shkarkojë ata me votë të lirë si në çdo vend evropian. Nuk bëhet beteja as për karriget tona, as për fatet tona politike, i dogjëm mandatet për të treguar se demokracia ishte në grahmat e fundit, sakrifica e mandateve të djegura solli atë që çdokush e konsideronte të pamundur, vetëdijësimin e perëndimit se Shqipëria ka nevojë për vëmendje dhe ndihmë”.

Basha tha se nga nëntë kushtet e bundestagut gjerman, opozita ka një rol për të luajtur dhe po e bën atë. Teksa përsëristi se kauza e opozitës është për rikthimin e zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke përjashtuar kategoriskisht interest politike, Basha tha se nëse do mendonin për interesin e tyre do kishin zgjedhur rrugë që tashmë i kanë refuzuar.

“Për opozitën objektivi është i qartë largimi i kësaj qeverie, që ti hapet rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në 9 mushtet e vendosura nga bundestagu, kushti i parë është miratimi i Reformës Zgjedhore. Ky është i vetmi kusht ku opozita ka një rol për të luajtur dhe e ka luajtur këtë me vetëdije të plotë. Po të ishte për interesa politike meskine kishte dhjetra rrugë të tjera që ne i kemi refuzuar. Kurrë nuk ka qenë më ulëritëse kërkesa për ndryshim. Ditë për ditë qytetarët bien viktima të sundimit të krimit, babëzisë së pushtetarëve. rruga e vetme është të bashkojmë forcat e çdo grupimi politik, intelektuali. Kjo është partia e babëzisë ku pjesë janë edhe bandat më të rrezikshme në Europë. Në procesin që sapo ka ndodhur ne shkojmë me objektiva të qarta. I bëj thirrje çdo kujt që ta shfrytëzojë mundësinë e derës së hapur në opozitën e bashkuar dhe PD. Ky është është misioni jetik i yni, që të krijojë hapësirë që në çdo hap për kontributin e shoqërisë civile, grupet e interesit:”

Basha tha se nuk do të kënaqte kureshtjet dhe thrillet e disa personave që merak kanë se kur do të largohet ai nga drejtimi i PD më së shumti, sesa si zhvillohet Shqipëria.

“E di unë që disa njerëz merak nuk kanë do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë Shqipëria, por do të jap apo nuk do të jap unë dorëheqjen. Po nuk mendoj se ky është momenti apo vendi për të kënaqur kureshtjet apo thrillet e tyre. Sot Shqipëria është në krizë dhe detyra ime është të bëj gjithçka në emër të opozitës së bashkuar, në emër të PD-së për t’i dhënë fund kësaj krize. Për t’i dhënë shqiptarëve instrumentin për të dalë këtë krizë, për të punuar bashkë me ta, që edhe Shqipëria që i ka të gjitha mundësitë të mos jetë kështu sepse nuk ka pse të jetë. Por të jetë një vend me një ekonomi funksionale, me konkurrencë ekonomike, politike, me të ardhme për fëmijët e saj, të rinjtë e saj. Kjo është axhenda ime sot. Ëndrrat dhe makthet e të tjerëve nuk janë as në radarin dhe as në preokupimet e mia dhe as të bashkëpunëtorëve të mi.”