Marrëveshja e arritur në Uashington ka sjellë një të mirë. Kosova tashmë ka hyrë në programin e SHBA-së për heqjen e vizave dhe tanimë janë disa procedura që duhen kryer.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi u shpreh sot se Grenell dhe O’Brien janë zotuar se Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave të SHBA-së.

“Grenell dhe O’Brien u zotuan se shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave të SHBA-së. Ky program është një proces që duhet ta kalojmë,”- tha ai për Klan Kosova.

Pas dy ditësh takime, u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Me ndërmjetësimin e Donald Trump, Kosova dhe Serbia, firmosën veç e veç në Shtëpinë e Bardhë për Normalizimin Ekonomik. Pas kësaj marrëveshje kanë pasuar edhe reagime të shumta. Hoti është shprehur se të hënën do të zhvillojë një takim me Vuçiç, dhe se kjo nuk është përfundimtarja. Haradinaj dhe Mustafa përcollën urimet e tyre për këtë marrëveshje, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri Edi Rama. Po ashtu marrëveshjen e kanë përshëndetur edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha.