Të paktën 60 persona që udhëtonin me tren humbën jetën në Pakistan. Sipas mediave botërore, treni po udhëtonte nga Karaçi për në Rawalpindi kur shpërtheu në flakë.
Viktimat u dogjën teksa po tentonin të hidheshin nga treni. 30 udhëtarë të tjerë raportohet se janë plagosur. Autoritetet pakistaneze thonë se numri i viktimave mund të rritet.
Shtypi lokal raporton se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i një bombole gazi që përdorej për ushqim nga pasagjerët. Të paktën 3 vagonë u përfshinë nga flakët. Ministri për hekurudhat ka thënë se fenomeni që pasagjerët marrin bombola të vogla për gatim në tren, është një problem i zakonshëm në Pakistan në udhëtime të gjata.
Aksidentet hekurudhore në Pakistan janë të shpeshta, për shkak se edhe trenat janë të tejmbushur me udhëtarë.





