Është mbajtur ditën e sotme ceremonia e ndarjes së Kartës së Autonomisë Menaxheriale për 6 spitale të tjerë në vend: Materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës.


Ndërsa Spitali Memorial Fier pas implementimit të autonomisë menaxheriale, nis fazën e dytë, atë të implementimit të autonomisë financiare.


Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ceremoni, gjatë fjalës së tij falënderoi për bashkëpunimin Qeverinë Turke dhe 10 menaxherët turq të cilët i janë bashkuar angazhimit të qeverisë për transformimin e sistemit shëndetësor në vend.


Duke theksuar rëndësinë e transformimit menaxherial të strukturave spitalore dhe impaktit të këtij modeli të ri menaxhimi Rama nënvizoi se “Autonomia Spitalore është një kapërcim nga një sistem i centralizuar dhe burokratik në një sistem shumë më të zhdërvjellët dhe produktiv, duke e kthyer Spitalin Memorial Fier në një qendër ekselence të strukturave spitalore në rajon.”


Kryeministri theksoi se në bazë të këtij sistemi autonom do të mundësohet vlerësimi i stafit sipas punës së kryer dhe shpërblimi financiar do të kalojë nga një shpërndarje horizontale sipas kategorive në një shpërndarje sipas rezultateve dhe performacës së arritur.


Rama deklaroi se do të vazhdojë punën për të rritur shkallën e ndërveprimit dhe zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë me qëllim që në vitet e ardhshme të kësaj dekade të ndërtohet një sistem shëndetësor që garanton cilësi dhe jo vetëm sasi shërbimesh.


“Objektivi ynë mbetet krijimi i 17 qendrave ekselence deri në vitin 2027”, tha Kryeministri Rama.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në fjalën e saj theksoi se me zgjerimin e hartës së spitaleve përfituese të Kartës së Autonomisë Menaxheriale do të garantohen më shumë standarde, më shumë cilësi shërbimi dhe mbi të gjitha, një vizion modern funksionimi dhe drejtimi i spitaleve tona.


“Me aplikimin e sistemit të autonomisë menaxheriale dhe financiare të gjithë këto struktura, dalin nga shabllonet e ngurta të një modeli të trashëguar vendimmarrje dhe nisin të administrohen prej atyre që e dinë më mirë se kushdo tjetër, punën e tyre të përditshme, vetë mjekët”, u shpreh Koçiu.


Ministrja u shpreh se “ndonëse si proces ka nisur të bëhet realitet përgjatë dy viteve të fundit, autonomia është pjese e pandarë e të njëjtit vizion që përgjatë 10 viteve shtriu mbulimin universal në të gjithë vendin, trefishoi buxhetin e shëndetësisë, integroi 600 mijë persona të pasiguruar në skemën e mbulimit shëndetësor falas, rriti mbi tre-herë pagën mesatare të mjekut e trefishoi pagën mesatare të infermierëve, hapi me qindra kantiere duke transformuar plotësisht 53 spitale e shërbime, 10 prej të cilëve ndërtime të reja nga hiçi, si dhe 400 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, etj. I gjithë zinxhiri i jashtëzakonshëm transformues i dekadës së fundit, të gjitha reformat e ndërmarra ishin të domosdoshme për të ardhur në këtë ditë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përfundoi duke theksuar se “duke ndjekur këtë shembull, objetivi ynë është që deri në vitin 2027 do të kemi 17 pole ekselence, që do të funksionojnë si struktura shëndetësore autonome”.


Reforma e autonomisë spitalore ka në qendër kujdesin ndaj qytetarëve të cilët do të përfitojnë nga zgjerimi i aksesit në shërbime dhe rritja e cilësisë së shërbimit. Burimet njerëzore në spitalet autonome do të hyjnë në një rrugëtim të ri në atë të vlerësimit të performancës së tyre bazuar në indikatorë matës.

Në rrugën e parapërgatitjes së tyre hyjnë për plotësimin e kritereve edhe spitalet e tjera rajonale në Kukës, Dibër, Berat, Fier dhe QSR “Shefqet Ndroqi”, duke zgjeruar kështu hartën e spitaleve publike autonome.